E Shtunë, 31 Tetor 2026

"E zonja e bujtinës", premierë në teatër

Teatri i metropolit ka nisur përgatitjen për premierën e veprës së titulluar "E zonja e bujtinës". Nën regjinë e Hervin Çulit do të interpretojnë aktorët Adelina Muça, Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia dhe Ermonela Alikaj Plasari.
Vepra, skenografia e së cilës është përgatitur nga Herolinda Koçllari, do të vijë për publikun duke filluar prej datës 14 nëntor. "E zonja e bujtinës" është komedia më moderne e reformatorit të teatrit italian, Carlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta, është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre. Goldoni si një mjeshtër i madhe i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Vepra vjen si një apel edhe për shoqërinë shqiptare, ku mashkulli e ka ende të vështirë t'i lejojë hapësirat e nevojshme femrës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›