E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jasha Adelaida, pushton këngën shqiptare"

Në muzikën e lehtë shqiptare, është krijuar një hendek mes krijimtarisë së kompozitorëve para viteve ’90, me kompozimet e mëvonshme. Gjithmonë e më shumë po flitet për plagjiaturë, si nga ana muzikore, ashtu edhe nga ana vizive dhe duket se sot mungon shumë origjinaliteti.

Kantautori Gjergj Leka mendon se ndikimet që ka sot muzika shqiptare, po pengojnë vlerësimin e vlerave kulturore, që kanë mundur t’i mbijetojnë kësaj “stuhie”.

"Jasha Adelaida!, ky është slogani që ka “pushtuar” këngën shqiptare. Në shumicën e lokaleve të natës nga ish-Blloku e deri në fshatrat më të humbura, në momentin kur këngëtari afron mikrofonin dhe nga impianti 10.000 euro i lokalit, dëgjohet fjala “Jasha!”, si me magji të gjithë çohemi në valle dhe hedhim pa mëshirë drejt orkestrës edhe lekun e fundit të rrogës", ka thënë ai për KJ, duke shtuar se "ky mikrob i demokracisë muzikore shqiptare, ka shtrirë “metastazat” e tij,  jo vetëm në lokalet e natës, por edhe në skenat tona, gëzimet familjare e deri tek koncertet e organizuara me rastin e fushatës elektorale të shumë deputeteve shqiptarë. "

Leka ka komentuar si të pashpjegueshëm faktin, që edhe shumë prej talenteve shqiptarë që mbarojnë Akademinë e Arteve, i gjejmë në ambiente të tilla.

"Ju mendoni se është e thjeshtë të punosh në një lokal tallava-je?! Absolutisht jo! Është luks i pak artistëve, që për “meritat” e tyre, bënë të mundur që ne, populli “artdashës” shqiptar, të jemi në krye të klasifikimeve botërore për vjedhjet muzikore, plagjiaturat e panumërta, të drejtat e munguara të autorit dhe eksodin e atyre artistëve, që nuk e “kuptojnë kohën moderne” të tallava-së!", ka thënë ai, duke theksuar se ky realitet i bastardimit të çdo vlere artistike e kombëtare, nuk shqetëson shumë mediat dhe artistët shqiptarë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›