E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lirika Lushnjare" gjallëron qytetin

Biblioteka e qytetit të Lushnjës ka nisur të përjetojë ditë të gjallëruara në kuadër të aktivitetit "Lirika Lushnjare". Ky eveniment është zhvilluar çdo vit, por tashmë ka nisur të paraqitet me një performancë të re. "Dita e Lirikës Lushnjare" u quajt ky aktivitet ku merrnin pjesë përfaqësues të shkrimtarëve, artistëve, poetëve dhe nxënësve të shkollave me qëllim promovimin e krijimeve të artistëve të këtij qyteti. Gjatë aktivitetit në fjalë u mbajtën referime dhe u interpretuan pjesë nga krijimtaria e krijuesve lushnjarë si: Vath Koreshi, Faslli Alili, Bujar Xhaferi, Arben Gjeka, Sherif Bali,Valter Dauti, Donika Stasa gërshetuar me këngë të interpretuara nga nxënësit e shkollave të mesme të qytetit. Në degën e Unionit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Lushnjës numërohen aktualisht më shumë se 80 krijues, nga ku më shumë prej tyre i kanë kënduar poezisë lirike. Përfaqësimi i shkrimtarëve dhe poetëve lushnjarë edhe në antologjinë botërore, flet për nivelin e lartë artistik të tyre si dhe për paraqitjen dinjitoze të botimeve të reja. Ndërkohë duhet theksuar se interesi dhe prurjet e reja premtojnë për vijimësinë e letërsisë në këtë trevë të vendit. Një nderim të pashlyeshëm marrin padyshim emrat e njohur Faslli Haliti e Vath Koreshi, të cilët mbetën emrat më të spikatur dhe që janë trajtuar gjerësisht edhe nga nxënësit e rinj, që kanë talent në këtë fushë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›