"Pranverë në Kosovë", dokumentari ngjall diskutime për pavarësinë

Filmi dokumentar "Pranverë në Kosovë", i cili u shfaq para disa ditësh në Torino të Italisë u ndoq me interes nga një publik i zgjedhur prej mbi njëqind të ftuarish, mes të cilëve ishte dhe filozofi i shquar Gianni Vattimo dhe shumë intelektualë të tjerë Shqiptarë dhe Italianë. Dokumentari, shfaqja e të cilit u organizua nga Shoqata Vatra, i përcolli publikut një dëshmi të gjallë të ngjarjeve të përjetuara nga populli kosovar, "Ditën e Pavarësisë",
përmes pamjeve të filmuara nga regjisori i ri me origjinë shqiptare Erjon Kadilli, i cili ka lindur në Durrës në vitin 1983 dhe bashkë me familjen ka emigruar në Itali në moshë fare të vogël. Aktualisht studion për regjisurë në Universitetin e Torinos. Shfaqja e këtij dokumentari,i shtohet listës të aktiveve që shoqata kulturore Vatra zhvillon për çështjen shqiptare. Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare, "Vatra" është themeluar në Torino në vitin 2002, me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari, të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e sa më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë. Shoqata mbështet plotësisht kauzën Kosovare dhe ka organizuar veprimtari të ndryshme në favor të pavarësisë dhe njohjes së plotë të saj nga bashkësia ndërkombëtare. Dokumentari "Pranverë në Kosovë" është xhiruar në Kosovë në muajin shkurt 2008, pikërisht në periudhën para, gjatë dhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Shfaqja solli pranë publikut torinez atmosferën e ndezur dhe emocionet e mëdha të asaj dite historike, të parë me sytë e protagonistëve të saj. Në qendër të dokumentarit është pikërisht populli kosovar, ëndrrat e tij dhe shpresa për të ardhmen, e cila i është mohuar shpesh gjatë rrjedhës së historisë. Dokumentari është një udhëtim emocionues dhe prekës në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë të Kosovës dhe në qytetin e tyre, Prishtinën, ku janë ende të dukshme gjurmët e luftës, por ku edhe shpresa për jetën është ndoshta më e fortë se tjetërkund. Pas shfaqjes, regjisori Kadilli, prof. Guido Franzinetti i Universitetit të Torinos dhe prof. Vincenzo Cucci, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit diskutuan me të pranishmit mbi situatën aktuale. Ata nënvizuan rëndësinë e madhe të njohjes së pavarësisë nga pjesa dërrmuese e demokracive Perëndimore dhe shprehën bindjen se Kosova, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, do të bëhen shumë shpejt pjesë e Europës së Bashkuar. Ky event u propozua nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra dhe u realizua me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.