"Na kënaqet syri kur shohim që punohet në qendër të qytetit
Ndonëse korrupsioni ka mbirë gjithkund, dhe ne duhet ta godasim atë me sa forcë që kemi, mendoj se edhe për falënderime duhet të lëmë pak vend. Qyteti i Elbasanit këto ditë është kthyer në një kantier ndërtimi. Pothuajse gjithë qendra është bllokuar, një kaos i vërtetë në qarkullimin e automjeteve. Tymi që ngrihet deri në qiell ta bën ditën akoma më të vështirë. Makineritë gumëzhijnë me të madhe thuajse ato s'po punojnë në një qendër urbane por, janë të vendosura në një shkretëtirë ku përveç rërës s'i dëgjon tjetërkush. Por të gjitha këto harrohen menjëherë dhe i lëmë të kalojnë kur mendojmë se pas 1 muaji do kemi një qendër tërësisht të rinovuar. Punëtorët po punojnë deri natën vonë, vetëm që ky objekt të ketë përfunduar brenda datës 13 Mars. Atëherë, faleminderit Bashkia Elbasan, që na bën më optimistë e na obligon të mendojmë se në Shqipëri ka ende dëshirë për punë dhe vlera që duhen përgëzuar.