E Shtunë, 31 Tetor 2026

rethet shkurte

22/02/2009  Tentoi të kalonte në Greqi nëpërmjet Kapshticës, hetime mbi bashkëpunëtorët

Prangoset 23-vjeçari, iu gjenden në

gomën rezervë 10,3 kg heroinë

KAPSHTICË – A. Hasalla, 23 vjeç, banor i qytetit të Elbasanit, u arrestua mëngjesin e së premtes në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pas një tentative për të kaluar përmes kësaj dogane një sasi lënde narkotike të llojit heroinë prej 10.5 kg. Nga burime policore bëhet e ditur gjithashtu se lënda narkotike ishte fshehur në gomën rezervë të automjetit, i cili drejtohej nga vetë Hasalla. Ai kishte udhëtuar nga qyteti i Elbasanit dhe kishte patur si destinacion mbërritjeje qytetin e Selanikut në Greqi, megjithatë gjithçka është zbuluar pas një kontrolli rutinë të policisë kufitare në këtë doganë, çka solli dhe arrestimin në flagrancë të 23-vjeçarit. Burimet e policisë saktësuan gjithashtu se droga ishte e paketuar në qese të vogla, të cilat ishin vendosur në gomën rezervë, e menduar nga i arrestuari si vendi më i sigurt, por që në të vërtetë nuk ka rezultuar kështu. Pavarësisht nga përpjekjet e tij për t’u treguar qytetar i rregullt, (nëse nuk është pikasur nga policia) makina e tij iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm, madje deri te goma rezervë, që sipas policisë, ky kontroll ka qenë tejet i zakonshëm si çdo ditë tjetër. Në këto rrethana 23-vjeçari Hasalla nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u larguar. Nga hetimet paraprake është mësuar se heroina do të përfundonte ne qytetin e Selanikut në Greqi, por për momentin ende kanë mbetur të panjohura, se kush do të ishte pritësi në qytetin grek dhe cili ka qenë furnizuesi i Hasallas në Elbasan. Madje jo vetëm kaq, policia po heton edhe për bashkëpunëtorët e tij të mundshëm, pasi ky rrjet trafikantësh të lëndëve narkotike shtrihet mes dy shteteve fqinj.

V. Hasani

U asfiksua nga tymi

Bie zjarr në banesë,

vdes 56-vjeçari

DURRES- Zjarri që ka rënë në mënyrë të papritur në një shtëpi banimi në hyrje të qytetit të Durrësit i ka marrë jetën të zotit të shtëpisë. Shtetasi Nazmi Alimetka ka vdekur para se të njoftohej policia dhe reparti zjarrfikës. Nga hetimet paraprake mendohet se viktima është asfiksuar nga tymi që ka përfshirë apartamentin e tij, ndërsa në shtëpinë e 56-vjeçarit Alimetka nuk ka pasur persona të tjerë. Sipas burimeve nga komisariati i policisë së Durrësit, zjarri duhet të ketë nisur të djegë sende e orendi të banesës ku flinte Alimetka ende pa u gdhirë. 56-vjeçari jetonte në një apartament fare pranë stacionit të trenit dhe rreth orës 5 të mëngjesit një nga fqinjët e tij ka vërejtur se nga dera e fqinjit dilte tym. Mjetet zjarrfikëse kanë shkuar në pak minuta në vendngjarje dhe kanë nisur të shuajnë flakën që ka përfshirë apartamentin në pallatin 5-katesh në lagjen numër 4 të qytetit. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton mbi shkaqet e zjarrit që dyshohet të ketë qenë aksidentale. Pranë viktimës që thuhet se nuk ka lëvizur fare si pasojë e bllokimit nga tymi, është gjetur një batanije e djegur plotësisht dhe që ka qenë edhe mbulojë e 56-vjeçarit. Policia ka theksuar se gjithçka mund të ketë qenë aksidentale dhe jo e qëllimtë.

Xh. Gradica

Për mashtrim dhe trafik emigrantësh

Korçë, arrestohen 2 të

kërkuar nga policia

KORÇE- Dy persona të shpallur në kërkim, Z. Cenko, 37 vjeç, banor i fshatit Neviçisht të rrethit Devoll dhe D. Hoxha, 22 vjeç, nga fshati Ponçarë i rrethit Devoll së fundi janë arrestuar nga policia e qarkut Korçës. Nga burime pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës mësohet se Dëfrim Hoxha ishte shpallur në kërkim nga Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme, pasi ky shtetas ishte dënuar nga gjykata e rrethit gjyqësor Korçë me vendim nr. 140, datë 18.04.2008, për veprën penale “të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/3 i K. Penal, me 5 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Ndërkaq të njëjtat burime sqaruan motivet e arrestimit të Z. Cenkos se ky i fundit ishte i shpallur në kërkim nga Seksioni i Krimit Ekonomik i Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143, i Kodit Penal, pasi gjykata e rrethit gjyqësor Gjirokastër e kishte dënuar atë me 3 muaj heqje lirie. Kështu që dje blutë e Korçës u kanë vënë prangat dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe janë dërguar në qeli për të vuajtur dënimet.

V. Hasani

Këputi kabllot optikë gjatë punimeve

Albtelekom padit

ekskavatoristin e firmës

KORÇE- D. D., 22 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Fushë –Krujës, me profesion ekskavatorist, aktualisht punonjës i firmës “Albavia”, ndërtuese e superstradës Korçë-Qafë-Pllocë, është paditur nga Drejtoria e Albtelekomit Korçë. Ngritja e padisë është bërë e njohur nga burimet e policisë, ku kjo e fundit në lidhje me këtë çështje ka sqaruar se në datën 19.02.2009 në orën 13.30 ishte lajmëruar nga filiali Albtelekom i qytetit të Korçës se në rrugën nacionale Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi ishin këputur dy kabllo optikë, transmetues të sinjalit ADSL të këtij filiali. Për këtë arsye është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këqyrja rezultoi se buzë rrugës, në një kanal, ishin këputur dy kabllo optikë. Nga hetimet dhe deklarimet e marra, u konstatua se ky kabull ishte këputur nga ekskavatoristi i firmës “Albavia”, ndërtuese e rrugës Korçë-Qafë-Plloçë. Për këto arsye, D. D., u pyet si person nën hetim në gjendje të lirë për veprën penale të “Shkatërrimit të rrjetit elektrik”, parashikuar nga neni 156 i Kodit Penal, ndërsa çështja do të ndiqet nga Prokuroria e Korçës, përfundojnë burimet e policisë.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›