Amfiteatri me projekt pilot
Më datë 21 korrik 2008, u çel në amfiteatrin romak të Durrësit, fushata e pestë e gërmimeve italo-shqiptare, në të cilën morën pjesë, përveç ekipit të kërkimeve dhe specialistëve të departamentit të Historisë së Universitetit të Parmës dhe të departamentit të Arkeologjisë Durrës, si dhe 25 studentë të Universitetit të Parmës, Tiranës, Milanos, Barit, Sienës dhe Pavias, të tërhequr nga një përvojë e një profili të lartë tekniko-shkencor, që do të zhvillohet në kuadër të stimulimit të bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.
Gërmimet do të drejtohen nga prof. Sara Santoro, drejtor i projektit pilot dhe nga prof. Afrim Hoti i Institutit Shqiptar të Arkeologjisë. Kjo fushatë gërmimesh është mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane, D.G.P.C.C.uff.V, nga Universiteti i Parmës dhe nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë dhe do të ripërfshihen në programin e mobilizimit të kërkimeve të financuara në kuadër të marrëveshjeve bilaterale italo-shqiptare 2008-2010.
Do të kontribuojnë në gërmime Bashkia e Durrësit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, ambasada italiane në Tiranë. Në këto gërmime, të cilat do të kenë karakter të formimit të lartë, do t’i bashkohen deri në 9 gusht seminare të Arkeologjisë, Arkeometrisë dhe të Arkitekturës 2008, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, që parashikojnë dy takime javore (pasdite 16:00) në sallën e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
Të gjitha takimet do të jenë të hapura për publikun. Do të shtjellohen më tej tema të ndryshme të arkeologjisë në Durrës, të nxjerra nga kërkimet italo-shqiptare, duke filluar nga qeramika mesjetare në mbishkrimet bizantine, në fortifikimet veneciane e të arkeologjisë nënujore, të zhvilluara nga specialistë italianë dhe shqiptarë.