E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çukaj: E vërteta e bombës në çantën time

Ish-deputeti Lekë Çukaj
ka reaguar menjëherë për
granatën që u gjet në çantën
e tij të humbur, duke treguar
sesi është e vërteta e saj. Ai ka
shpjeguar se kanë qenë dy persona
që i kanë vjedhur çantën
me sendet e tij personale dhe
deri tani policia nuk i ka gjetur
1300 euro, që i ka pasur në çantë,
ndërkohë që e ka lënë të lirë
autorin e dyshuar për vjedhjen
e saj. Ndërsa për granatën, ai ka
deklaruar se nuk është e vërtetë
që e ka pranuar se ka dhjetë vite
që e mban, pavarësisht se policia
shprehet se një deklaratë të tillë ai
e ka lëshuar me fi rmë. Megjithatë,
në një intervistë për "Shqip", ishdeputeti
nga Malësia e Madhe
ka treguar variantin e tij, duke
hedhur poshtë atë të policisë,
ku dyshon se nuk është treguar
e gjithë ngjarja, ashtu siç është.
Zoti Çukaj, mund të tregoni
variantin tuaj për humbjen e
çantës, brenda së cilës u gjet një
granatë?
Ditën e shtunë, unë po rrija në
një lokal pranë Ish-ambasadës
jugosllave, që ndodhet në Rrugën
e Durrësit, rreth 100 metra larg
Komisariatit Nr. 3. Kisha dalë për
të rregulluar një defekt në makinë
dhe e lashë mjetin në një servis
pranë vendit ku po qëndroja. Kur u
ula në tavolinë, në oborrin e lokalit,
e lashë çantën në karrige, brenda
së cilës kisha edhe portofolin.
Gjithashtu, në çantë kisha disa
dokumente dhe kartat e kreditit, që
ndodheshin brenda portofolit. Në
një moment u ngrita dhe shkova
te makina, por kur mbërrita aty, u
kujtova që kisha harruar portofolin
dhe punë 4-5 minutash, pasi isha
ngritur u riktheva te lokali. Kur
erdha nuk e gjeta më.
Po më pas si veprove?
Pyeta kamerierin dhe i thashë
se mos kishte parë njeri. Ai më tha
se kishin ardhur dy persona, ishin
ulur te tavolina, ku isha ulur unë
më parë, kishin porositur kafe,
por kishin ikur shumë shpejt
dhe nuk kishin pritur as sa të
bëheshin kafetë. Më pas shkova
te Komisariati Nr. 3, tregova se
çfarë më ka ndodhur dhe ata
u vunë në lëvizje, rrethuan zonën,
filluan të pyesin njerëzit,
gjithashtu shoqëruan disa veta,
e për njohje morën kamerierin.
Pas disa orësh, policia mundi të
gjejë njërin prej dy personave, e
në xhep i gjetën rreth 270 mijë
lekë të vjetra. Atë e pyetën se ku e
kishte shokun që kishte qenë me
të dhe ai tha se nuk dinte gjë për
ndonjë vjedhje, pavarësisht se
ende nuk ishte gjetur asgjë.
Po shoku i tij u gjet nga policia?
Në orët e pasdites, nuk e di
tamam nëse policia apo ai personi
i shoqëruar i kishin telefonuar
personit tjetër, që të vinte e të
dorëzonte çantën që ma kishin
vjedhur mua. Ai nuk ka ardhur
në Komisariatin Nr. 3, por ka
shkuar dhe ka hedhur çantën në
oborrin e Komisariatit Nr. 2 dhe
nuk është paraqitur vetë. Mua
më thirri policia dhe më tregoi se
çfarë kishte ndodhur dhe si kishte
ardhur çanta ime deri aty. Ata më
treguan edhe granatën që ishte
brenda saj dhe më pyetën nëse
dija gjë për të. Unë u thashë atyre
se në çantë kam pasur vetëm ato
që kisha deklaruar.
Çfarë deklaruat se kishit në
çantë?
Kur bëra denoncimin u thashë
se brenda saj kisha portofolin
dhe disa dokumente. Në portofol
kisha 1300 euro, 38 mijë
lekë dhe kartat e bankës. Ndërsa
policia nuk ka treguar asgjë për
1300 eurot, që ende nuk e di se
ku ndodhen, por pretendon se
unë kam deklaruar që kam pasur
një granatë dhe që e mbaja prej
dhjetë vitesh. Kjo nuk është e vërtetë,
pasi unë nuk kam pranuar
asnjëherë se në çantën time kam
pasur granatë.
Por çfarë mendoni se ka
ndodhur?
Mendoj se kjo nuk është e
vërteta tamam, pasi policia e
paska lënë edhe në gjendje të
lirë personin që dyshohet se më
ka vjedhur çantën, ndërkohë që
ende nuk janë gjetur 1300 euro,
të cilat i kisha marrë me vete, pasi
më duheshin për të rregulluar
makinën. Gjithashtu, nuk është e
vërtetë se personi që mori çantën
time është treguar aq i ndershëm
sa ta dorëzojë vetë atë. Ai e ka
hedhur vjedhurazi çantën në
oborrin e Komisariatit Nr. 2 dhe
nuk e ka sjellë dorazi te Komisariati
Nr. 3, pikërisht pranë vendit
ku mua ma vodhën. Madje, edhe
kjo nuk është bërë në orën 16:00,
por rreth dy orë më vonë dhe
efektivët e policisë kanë dashur ta
dorëzojnë çantën te Komisariati
Nr. 3 pa asnjë procesverbal.

Njoftimi i policisë për granatën në çantë

Nga ana tjetër, policia ka këmbëngulur se ish-deputeti Lekë
Çukaj ka deklaruar se granatën e mbante prej dhjetë
vitesh. Madje, në lidhje me këtë ngjarje, policia ka deklaruar
në informacionet e saj se granata i përkiste ish-deputetit
të Malësisë së Madhe. "Te Komisariati i Policisë nr. 3, më
datë 11.07.2009, fi lloi procedimi penal në gjendje të lirë për
shtetasin Shkëlqim Myftar Hamiti, 37 vjeç, banues në Tiranë,
me arsim 12 klasë, i dënuar më parë për vjedhje, sepse rreth
orës 16.00 ka dorëzuar në komisariat, një çantë të gjetur me
një granatë defensive me ndezës të montuar në trup, 34 mijë
lekë, një pasaportë biometrike dhe disa karta bankare, të
cilat i përkasin shtetasit Lek Gjet Çukaj, 60 vjeç, banues në
Tiranë", deklarohet në informacionin e Drejtorisë së Policisë
së Tiranës. Madje, policia tha dje se ka edhe deklaratën, ku
Çukaj ka fi rmosur të vërtetën për granatën, pavarësisht se
për efekt hetimi nuk mund ta publikojë zyrtarisht.

Deputeti, dhjetë vjet
me granatë në çantë

Ditën e djeshme, gazeta "Shqip" publikoi rastin e gjetjes
së granatës në çantën e humbur të ish-deputetit Lekë
Çukaj, ku sipas policisë, ai kishte pranuar se e mbante
me vete këtë armë prej dhjetë vitesh. Sipas policisë, në
Komisariatin Nr. 3 ishte paraqitur rreth orës 16.00 Shkëlqim
Hamiti, 37 vjeç, i cili ka deklaruar se kishte gjetur një çantë,
brenda së cilës kishte një granatë defensive me ndezës
të montuar në trup, 34 mijë lekë të reja, një pasaportë
biometrike dhe disa karta bankare. Duke parë pasaportën
biometrike, policia ka zbuluar se ajo ishte çanta që i kishte
humbur ish-deputetit Lekë Çukaj, 60 vjeç, aktualisht me
banim në Tiranë. Por, duke parë edhe të shkuarën e Hamitit,
pasi ka qenë i dënuar më parë për vjedhje, nuk i kanë
besuar plotësisht dorëzuesit. Pavarësisht se ai ka këmbëngulur
se e kishte gjetur çantën, grupi hetimor dyshon
se ai e ka vjedhur dhe kur ka parë se çfarë ka brenda, ka
vendosur ta dorëzojë. Për këtë arsye, policia ka vendosur
që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, deri në sqarimin
e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga ana tjetër, pas gjetjes
së çantës është thirrur ish-deputeti, të cilit i është treguar
se është gjetur çanta. Policia e ka pyetur Lekë Çukajn në
lidhje me granatën e montuar që ndodhej në çantë dhe ai
e ka pranuar se ishte e tij. Sipas policisë së kryeqytetit, ai
është shprehur se kishte dhjetë vjet që e mbante me vete
për vetëmbrojtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›