E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri, plagoset me pistoletë "amerikani"

Një sherr banal ka qenë duke i marrë jetën një shqiptari, i cili jetonte prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe para pak ditësh ishte kthyer në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të dielës, në rrugën "Irfan Tomini". Menjëherë, 30-vjeçari i plagosur, Edison P., është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën e parë dhe më pas me të ka kontaktuar policia. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së dielës, në afërsi të stacionit të autobusit në rrugën "Irfan Tomini", pranë një karburanti. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe një grup hetimor nga seksioni i antikrimit kundër personit. Nga të dhënat e para, grupi hetimor është vënë në dijeni se dy të rinj ishin zënë mes tyre për një konflikt banal dhe njëri prej tyre kishte nxjerrë një pistoletë, duke qëlluar në drejtim të protagonistit tjetër. Sipas policisë, një nga plumbat e pistoletës e ka kapur Edison P. në kofshë, ndërkohë që autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas kësaj, i dëmtuari është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën e parë dhe ka ikur nga aty. Por, agjentët e policisë e kanë gjetur atë në një kohë të shkurtër, duke e marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Ai ka treguar se ngjarja kishte ardhur pas një konflikti të çastit dhe autori ishte me një makinë "Mercedes Benz" me targë MK 3588 A. Më tej, i plagosuri ka thënë për policinë se kishte pak ditë që kishte ardhur në Shqipëri, pasi jetonte prej kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas marrjes së deklaratës së të dëmtuarit, policia ka shpallur në kërkim makinën, ndërkohë që brenda një kohe të shkurtër ka identifikuar edhe autorin e ngjarjes. Sipas policisë, makina është gjetur në vendin e ngjarjes. Ndërsa vazhdon puna për kapjen e autorit, emri i të cilit nuk është publikuar për arsye hetimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›