Nën hetim 4 mësues, falsifikuan diplomat
Katër mësues në Skrapar do të jenë nën hetim, pasi akuzohen se kanë falsifikuar diplomat e arsimit të lartë. Lajmin e bëri të ditur zyra e krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Beratit, ku ka nisur edhe hetimi për katër mësuesit e arsimit të mesëm. Burime pranë kësaj zyre bëjnë me dije se ka qenë një informacion i siguruar në mënyrë operative, çka ka bërë të mundur nisjen e hetimeve nga inspektorët e krimit ekonomik. Denoncimi ka ardhur pranë kësaj zyre nga banorë të Skraparit, të cilët kanë akuzuar mësuesit se jepnin mësim në saj të një diplome të falsifikuar dhe menjëherë ekspertët hetimorë kanë nisur hetimet e rastit. Sipas informacioneve, dy mësues në shkollën e mesme të qytetit të Çorovodës "Ramis Haranitasi" dhe dy mësues në shkollën e mesme të Komunës Qendër të këtij rrethi, kishin falsifikuar diplomat e arsimit të lartë. Mësuesit me iniciale M. N., Sh. Q., L. M. dhe V. L., banorë të Çorovodës, mbi 40 vjeç, të lëndëve respektive histori, gjeografi dhe biologji, mësohet se ushtronin profesionin me dokumentin e diplomës së falsifikuar.
Mësuesit e shkollave të mesme, që punojnë që pas vitit 1997 në arsim, mësohet se e kishin siguruar vendin e punës në sajë të dokumenteve të arsimit të lartë, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Diplomat mësohet se kanë dalë nga universitetet e Elbasanit dhe Gjirokastrës dhjetë vjet më parë.