E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e dyfishtë në Shkodër, mbeten në burg tre autorët

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur masën e sigurisë me burg për tre të arrestuar, të dyshuar si autorë të dy vrasjeve mes dy familjeve pak ditë më parë në fshatin Trush. Ndërkohë që asnjeri nga të arrestuarit nuk e ka pranuar krimin e vrasjes. Që në orët e para të mëngjesit, Gjykata e Shkodrës ka qenë nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të policisë. Kjo, për faktin nga frika se mos do të kishte përplasje mes dy familjeve, të cilat janë të përfshira në ngjarje, ku të dyja palët kanë pasur viktima nga sherri mes njëra-tjetrës dhe të dy familjet kanë të arrestuar njerëzit e tyre për vrasjet e ndodhura. Në fillim në gjykatë janë sjellë Gjergj Malocaj dhe i biri Ardian Malocaj, të cilët akuzohen nga prokuroria për dy vepra penale, atë të "vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim" dhe "armëmbajtje pa leje". Konkretisht, personat në fjalë akuzohen të jenë autorë të vrasjes së Luçe Rrethit, 42 vjeçe, banues në fshatin Trush. Të dy këta shtetas u mbrojtën nga avokati i caktuar nga gjykata Ndrek Toma, i cili ka kërkuar prej saj masën "arrest shtëpie" për Ardian Marlocajn, ndërsa për Gjergj Marlocajn ka kërkuar masën "detyrim paraqitjeje". Kjo kërkesë është kundërshtuar nga gjykata. Prokurorja e çështjes Françeska Lekani i ka kërkuar gjyqtares Anita Mici për dy të arrestuarit masën e sigurisë "arrest me burg". Pas shqyrtimit të dy kërkesave, atë të mbrojtjes dhe atë të akuzës, gjyqtarja ka vendosur të aprovojë kërkesën e organit të akuzës, duke dhënë kështu masën e sigurisë "arrest me burg" për dy të arrestuarit. Menjëherë pas zhvillimit të kësaj seance gjyqësore radhën e ka pasur i arrestuari tjetër Lazër Rrethi. Edhe kjo seancë përbëhej nga i njëjti trup gjykues, duke i dhënë edhe Rrethit masën e sigurisë arrest me burg. I arrestuari Lazër Rrethi është shprehur para trupit gjykues se "nuk e kam vrarë Nikoll Malocajn, pasi në atë moment kam qenë në tokë pa ndjenja nga goditja që më ka bërë pak minuta më parë viktima me një kosore. I arrestuari ka pranuar faktin që në momentin e arrestimit ka pasur në brez një armë zjarri pistoletë, por se ka qëlluar ai viktimën. Avokati ka kërkuar për Lazer Rrethin dënimin vetëm për "armëmbajtje pa leje", por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Gjatë zhvillimit të këtyre dy seancave gjyqësore ra në sy fakti se në sallë nuk kishte asnjë nga familjarët e afërt të të akuzuarve e kjo për faktin se ato i janë ruajtur nga hakmarrja njëra-tjetrës.

Ndërkohë që në ambiente jashtë gjykatës ka pasur komshi të largët të dy familjeve, por nuk ka pasur përplasje mes palëve. Konflikti mes dy familjeve Rrethi e Malocaj ka të bëjë me ngjarjen e tri ditëve më parë, kur Lazër Rrethi debaton me komshiun e tij, Nikoll Malocajn, se delet e këtij të fundit ishin futur për të kullotur në pronën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›