Pronat, sherr me armë në Tiranë
Sherri për pronat ka sjellë sërish viktima të tij, por këtë radhë në Tiranë. Pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Qarkun e Shkodrës, tashmë konfliktet e pronave janë shfaqur edhe në Tiranë. Një 74-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri një banor të Ibës, pasi mes tyre kishte një konflikt për një copë tokë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Ibë të Komunës së Bërzhitës në Tiranë, megjithëse i dëmtuari ka marrë vetëm disa plagë të lehta.
Nga informacionet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës mësohet se ngjarja është regjistruar rreth orës 09:00 të mëngjesit. Osman Tuzi dhe Neki Cenaliu janë takuar për të debatuar mbi një çështje prone, ndërkohë që debati ka denigruar në konflikt. Veç kësaj, 74-vjeçari Tuzi ka nxjerrë pushkën e fshehur dhe ka qëlluar në drejtim të 51-vjeçarit. Si pasojë, Neki Cenaliu ka marrë disa plagë të lehta dhe për të shuar konfliktin që mund të kishte pasuar me viktima të tjera, kanë ndërhyrë të pranishmit. Madje, dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë marrë të plagosurin, i cili ishte mbuluar me gjak dhe me urgjencë e kanë nisur për në spital, ku i është nënshtruar një terapie intensive. Nga ana tjetër, banorët e fshatit Ibë kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke njoftuar mbi këtë konflikt, nga frika se sherri mund të vijonte edhe më tej. Me t‘u njoftuar për në vendin e ngjarjes janë nisur uniformat blu nga Komisariati Nr. 1 dhe nga seksioni i luftës së krimeve kundër personit. Sipas të dhënave, efektivët e policisë kanë blinduar gjithë zonën, duke bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikojnë, lokalizojnë dhe të prangosin autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Ky i fundit nuk u ka rezistuar forcave të policisë, përkundrazi ka dorëzuar edhe armën me të cilën kishte qëlluar. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar pushkën, si dhe 350 fishekë luftarakë "model 56".
Pas operacionit në fshatin Ibë, grupi hetimor ka marrë në pyetje të moshuarin, i cili ishte shoqëruar në ambientet policore. Ai e ka pranuar krimin përpara oficerit të policisë gjyqësore, por ka treguar se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore nga një sëmundje dhe për shkak të moshës së madhe. Në këto kushte, policia është konsultuar me prokurorin e çështjes dhe në përfundim është vendosur që i moshuari të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Megjithatë, policia tha se seksioni i luftës kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit i dërguan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për Osman Ramazan Tuzin, 74 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ibë, pasi dyshohet për veprat penale të "plagosjes së lehtë me dashje", si dhe "armëmbajtjes pa leje dhe municioneve".