E Diel, 1 Nëntor 2026

1950, plani sekret i FBI-së për të arrestuar 12 mijë subversivë

Më shtatë korrik të vitit 1950, Amerika që prej 12 ditësh kishte nisur luftën e saj të parë, pas konfliktit botëror që kishte përfunduar rreth pesë vjet më parë. Për t‘iu përgjigjur pushtimit të ndërmarrë nga trupat e armatosura koreanoveriore, të mbështetura nga kinezët - që natën e 25 qershorit kishin pushtuar jugun deri në Seul falë një armate të përbërë nga 80 mijë trupa - Presidenti Truman arriti të merrte nga OKB-ja dorë të lirë për të ndërhyrë ushtarakisht: trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën komandën e gjeneralit Dagllas Mek Artur, në krye të një koalicioni ndërkombëtar (Britania e Madhe, Kanadaja, Turqia) u përfshinë në konfliktin e largët. Lufta e Ftohtë papritmas ishte nxehur dhe përplasjet e armatosura përgjatë paralelit 38 ngjallën frikën e një konflikti të ri në shkallë botërore.

Në selinë qendrore të FBI-së, në Uashington, Edgar J. Huver, kreu i gjithëpushtetshëm i Byrosë, të cilën e drejtonte që nga viti 1924 dhe që do ta vazhdonte ta drejtonte deri në vitin 1972, vendosi që po atë ditë t‘i kërkonte Shtëpisë së Bardhë një autorizim krejt të pazakontë: dorë të lirë për të arrestuar "të gjithë individët që përbënin rrezik" për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Plani do të vihej në praktikë përmes një supermandati, ku qenë shkruar emrat e të gjithë atyre qytetarëve amerikanë, që sipas FBI-së mund të paraqisnin çfarëdolloj rreziku të brendshëm lidhur me luftën e saponisur në Paqësor.

Lista - e përpiluar nga agjentët e Byrosë në rrjedhën e shumë viteve, emrat e së cilës qenë aprovuar një për një nga vetë Huveri - ishte e pafundme: në të përfshiheshin emrat e 12 mijë njerëzve, në më të shumtën (97%) qytetarë amerikanë "që paraqisnin rrezikshmëri të lartë". Dokumenti që bën pjesë në një seri "top sekret" të Departamentit Amerikan të Shtetit (tashmë e deklasifikuar) dhe që pasqyron aktivitetin e agjencisë mes viteve 1950-1955 u bë publik në numrin e së dielës, në të përditshmen amerikane "New York Times".

Huveri i kërkonte Herri Trumanit, Presidentit të atëhershëm amerikan, lejen për të filluar një fushatë arrestimesh masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës "për të garantuar sigurinë e vendit nga rreziku i tradhtisë, spiunazhit e sabotimit". Përveç kësaj, kërkonte që, "për t‘i dhënë efektivitet arrestimeve", një dekret i Shtëpisë së Bardhë të shfuqizonte "Habeas Corpus" (e drejta për të kërkuar ligjshmërinë e arrestimit). Sipas Kushtetutës Amerikane "Habeas Corpus" nuk mund të pezullohet për asnjë lloj motivi, përveç rasteve kur bëhet fjalë për rebelime të brendshme apo për pushtim të territorit amerikan nga trupa të huaja ushtarake. Në planin që i propozonte Shtëpisë së Bardhë, Huveri e interpretonte në formë mjaft të zgjeruar këtë ligj, duke e konsideruar më se të mjaftueshëm "kërcënimin ndaj ndërhyrjes së armatosur" dhe si të tillë edhe "sulmin kundër trupave të armatosura amerikane dhe pse ndodheshin në territor të huaj, por zyrtarisht në cilësinë e pushtuesit" (rasti i Koresë së Jugut).

Diskutimi për pezullimin e "Habeas Corpus" në praninë e çasteve të veçanta të jetës kombëtare amerikane i është kthyer aktualitetit pas ngjarjeve të 11 shtatorit, i cili u pasua me krijimin e burgut special për mbajtjen e terroristëve të Al- Kaedës në Guantanamo të Kubës.

Dokumentet e deklasifikuara nuk tregojnë nëse Trumani - apo njeriu që e pasoi në Shtëpinë e Bardhë Duait Aizenhauer - e kanë aprovuar apo jo planin. Gjatë viteve të Luftës së Koresë (edhe vitet që pasuan) filloi e ashtuquajtura "gjuetia e shtrigave", nismëtar i së cilës ishte senatori republikan, Jozef Mek Karti, që kishte në shënjestër "spiunët dhe bashkëpunëtorët e komunizmit" brenda territorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe në çastet më të errëta të mekartizmit nuk u arrit kurrë (as edhe në masë modeste) në arrestime të përmasave të tilla, siç ishte ky i kërkuar nga Edgar Huver.

Duhet thënë se është shumë e mundur, edhe pse diçka e tillë duhet vërtetuar, që FBI-ja dhe Mek Kartni të kenë përdorur të paktën pjesërisht atë listë të përbërë nga 12 mijë emra gjatë epokës së gjuetisë së shtrigave, kur u morën në pyetje dhe u hetuan shumë intelektualë të njohur e personazhe të kinemasë: Çarli Çaplin, Elia Kazan, Geri Kuper, Robert Teilor... në shënjestrën e "Komitetit për aktivitete antiamerikane" përfunduan edhe Merilin Monro dhe Artur Miler (në atë kohë bashkëshortja e tij); ky i fundit iu drejtua për ndihmë Xhon Kenedit - në atë kohë senator i Masaçusets - pasi i vëllai, Roberti, mbulonte një vend kyç në komisionin e Mek Kartnit.

Koleksioni i dokumenteve të Luftës së Ftohtë i deklasifikuar të premten e shkuar, është pjesë e një volumi të ri të "Marrëdhënieve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", një seri librash të botuara në vazhdimësi nga departamenti i shtetit, duke nisur që nga vitet e luftës civile në vend.

Në planin e propozuar nga Huveri, 12 mijë të arrestuarit do të internoheshin "për mbajtjen e përhershme nën masa të larta sigurie", si në baza ushtarake, ashtu edhe në burgjet federale. FBI-ja - saktësonte Huveri - e ka shumë të qartë që arrestimet në qytetin e Nju-Jorkut dhe të Kalifornisë (bastionet e liberalëve në dy krahët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës) mund të sjellin mbipopullimin e burgjeve lokale. Për këtë motiv - shton gjithnjë Huveri - Byroja ka vënë në dispozicion qendra sigurie brenda zonave dhe kazermave ushtarake, "posaçërisht për ata individë që do të arrestohen në Nju-Jork dhe në Kaliforni".

Pavarësisht kërkesës për pezullimin e ""Habeas Corpus", në planin e Huverit parashikohet që të arrestuarit të kenë një mundësi për të dhënë shpjegime përpara një komisioni të posaçëm, të përbërë nga një gjyqtar e dy qytetarë amerikanë. Megjithatë - saktëson letra e numrit një të FBI-së - këto audienca nuk do të bazohen te "rregulli i provave".

Në historinë amerikane të shekullit të shkuar, i vetmi çast kur është paraqitur nevoja e marrjes së masave, si ato të propozuara nga Huveri, i përket të ashtuquajturit "Palmer raids" (në vitin 1920), kur njerëzit e divizionit të "inteligjencës", në krye të të cilit qëndronte pikërisht Huver, ndaluan mijëra të dyshuar si komunistë apo ekstremistë. Dihej gjithashtu që FBI-ja kishte përgatitur "indeksin e sigurisë", një listë njerëzish të dyshuar për aktivitete që përbënin rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas dokumenteve të tjera, të deklasifikuara me kohë, mësohet se ky indeks ishte gati kohë përpara fillimit të Luftës së Ftohtë. Për shembull, në marsin e vitit 1946, Huveri kishte kërkuar dorë të lirë për të arrestuar ata amerikanë që "mund të përbëjnë rrezik", në rast se Amerika e gjente veten të përfshirë në një konflikt të ri; në gushtin e vitit 1948, ministri i Drejtësisë, Tom Klark, i kishte dhënë FBI-së të drejtën për të përpiluar listën e zezë me emrat e armiqve të mundshëm.

Letra e 7 korrikut të vitit 1950, në të vërtetë nuk i drejtohet personalisht Presidentit amerikan. Marrësi ishte Sidni W. Souers, i cili në të shkuarën kishte qenë një ndër drejtorët e parë të shërbimeve të fshehta amerikane dhe atë verë, kur shpërtheu lufta e Koresë, mbulonte detyrën e asistentit të posaçëm të Trumanit për sigurinë kombëtare. Plani u vu edhe nën dijeninë e sekretariatit ekzekutiv të Këshillit të Mbrojtjes, organizëm ku bëjnë pjesë Presidenti i vendit, ministri i Mbrojtjes, sekretari i Shtetit dhe shefat e shtabit qendror të ushtrisë. Në vend të këtij plani, në shtator të vitit 1950 u miratua nga kongresi - e firmosi edhe Trumani - një ligj që autorizonte burgimin e "ekstremistëve të rrezikshëm", në rast se Presidenti do të shpallte gjendjen e emergjencës kombëtare. Gjë që Trumani praktikisht e bëri në dhjetor të po atij viti, pasi Kina e Maos hyri zyrtarisht në konflikt përkrah koreanoveriorëve. Ndërsa, për sa i përket planit të Huverit, me aq sa dihet, mbeti vetëm në letër.

J. Edgar Huver

Huver punoi në FBI për më shumë se gjysmë shekulli, në pjesën më të madhe si drejtor i agjencisë. Pranë fundit të karrierës u akuzua për dhunimin e të drejtave civile. Akuzat u drejtuan kundër metodave ilegale të aplikuara gjatë programit "Cointelpro", mes viteve 1956 dhe 1971. Objektivi fillestar i programit ishte identifikimi i qytetarëve amerikanë, që ushqenin simpati për komunizmin, ndërsa më vonë u përfshinë edhe objektiva të tjera, siç ishte neutralizimi i lëvizjeve si "Panterat e Zeza" dhe "Ku Kluks Klan". Në vitin 1975, aktiviteti i "Cointelpro" u deklarua ilegal dhe antikushtetues

Herri Truman

Politikani demokrat u ngjit nga detyra e zëvendëspresidentit të vendit në atë të Presidentit pas vdekjes së Frenklin Delano Rusvelt, më 12 prill të vitit 1945, gjatë fazës përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore. I takoi atij marrja e vendimit për goditjen me armë bërthamore të qyteteve japoneze të Hiroshimës e Nagasakit. Pasi siguroi mandatin e dytë në vitin 1948, u gjet përpara detyrës për t‘u përballur me Luftën e Ftohtë dhe luftën e Koresë. Themeloi të ashtuquajturën "doktrina Truman", sipas së cilës amerikanët duhet të merrnin përsipër luftën në nivel global kundër avancimit të komunizmit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›