Zvicër-Shqipëri, ngritja e marrëdhënieve diplomatike
Që në fillim dua të them se familjet e fuqishme e të pasura shqiptare nga Shqipëria, qysh në vitet e mëhershme kishin dërguar fëmijët e tyre për edukim e shkollim në shkollat zvicerane. Kontaktet shpeshtohen, sidomos në fund të shekullit të 19-të e në fillim të shekullit të 20-të. Kjo fazë lidhet ngushtë edhe me aktivitetet e diasporës shqiptare, që vinin nga viset e atëhershme të banuara me shqiptarë (që ishin nën sundimin turk). Një aktivitet të ngjeshur të kësaj diaspore që jetonte e vepronte në Zvicër, apo edhe frekuentohej nga figurat e njohura të historisë shqiptare, ne e kemi përgjuar, sidomos në kohën e nisjes së aktiviteteve për mëvetësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Me kësi aktivitetesh patriotike e politike shquhen sidomos vitet e 1910-ës deri në rënien e Shqipërisë nën diktaturën komuniste. Është për t‘u theksuar se me rënien e Shqipërisë në sistemin komunist, pushojnë edhe aktivitetet e diasporës, për të vazhduar më vonë me rifillimin e aktiviteteve nga diaspora kosovare, që do të fillojë në vitet e 1960-ës e për të vazhduar deri në ditët e sotme, që përbëjnë edhe numrin më të madh në kuadër të të gjithë numrit të përgjithshëm të shqiptarëve në Zvicër. Pushimi i aktiviteteve të shqiptarëve të Shqipërisë lidhet ngushtë edhe me dëshpërimin e tyre me komunizmin e instaluar në vendlindje.
Fillimi i aktiviteteve...
Me fillimin e ndryshimeve politike në Perandorinë Osmane, në Ballkan fillon edhe një lëvizje e popujve për të ngritur shtetet e tyre nacionale. Shqiptarët, edhe pse të vonuar në krahasim me fqinjët e tyre, shpallin shtetin e pavarur të Shqipërisë në vitin 1912. Me shpalljen e pavarësisë fillojnë aktivitetet për të kërkuar njohjen e saj nga shtetet e ndryshme. Në këtë kuadër, politika shqiptare i drejtohet edhe Zvicrës për ta njohur Shqipërinë si shtet të pavarur. Kur Zvicra në vitin 2005 kishte kërkuar, nëpërmjet ambasadorit të saj në OKB, "pavarësinë formale për Kosovën", më lindi ideja për t‘iu përveshur punës për një studim më të thellë të marrëdhënieve shqiptaro-zvicerane. Dhe kështu ndodhi. Që nga ajo kohë kemi filluar në grumbullimin e materialit për studim. Po si kishte ndodhur në rastin e njohjes së Shqipërisë, a ishte një nga shtetet e para që njohu e u deklarua pro pavarësisë së saj? Jo. Raportet në atë kohë ishin krejt ndryshe. Zvicra nuk kishte ndonjë interes të veçantë përballë shqiptarëve dhe kjo për arsye të ndryshme. Megjithatë, kishte një kontakt.
Kërkesa e parë për njohje
Kërkesën e parë për njohjen e Mbretërisë së re të krijuar të Shqipërisë e ka bërë më 6.5.1914 Mbreti i Vilhem von Vid. Në këtë letër ai njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës se ka marrë fronin e Mbretit të Shqipërisë dhe kërkon njohjen e Mbretërisë së Shqipërisë. Kjo letër nxit për herë të parë Parlamentin zviceran që të merret me këtë çështje - pra që të diskutojë për njohjen e Shqipërisë. Duke pasur parasysh raportet e kohës, edhe në drejtimin e vështirësive në komunikim dhe njohurive për situatën aktuale në Shqipëri, por edhe në drejtimin se si qëndronte atmosfera e përgjithshme politike e rrethanave të reja të krijuara, cilat ishin qëndrimet e shteteve evropiane e kështu me radhë, vendoset para se t‘i përgjigjet letrës së Vidit, që të kërkohen informacione nga përfaqësitë diplomatike zvicerane në Romë e Vjenë rreth kësaj çështjeje.
Përgjigjja që vjen nga Vjena rekomandohet që Zvicra të mos ngutet me njohjen. Arsyetimet lidhen me vetë figurën e Vilhem Vidit, pastaj me situatën aktuale në Shqipëri, e cila përshkruhet si "situatë lufte" dhe "rrethana revolucionare" përbrenda vetë Shqipërisë. Po ashtu, Ministria e Jashtme e Zvicrës njoftohet nga përfaqësia në Vjenë, se një kërkesë e ngjashme për njohjen e marrjes së fronit nga Vidi ishte adresuar edhe Austro-Hungarisë, që e konsideronte veten si themelues i shtetit shqiptar, ende nuk e kishte ndonjë përgjigje, pasi që edhe nga Austro-Hungaria, qeveria aktuale nuk shikohej si stabile dhe efektive dhe mbretëronte vlerësimi se Mbreti Vid do të jetë i detyruar shpejt të ikë nga vendi. Si rezultat i këtij rekomandimi, Zvicra refuzon ta njohë Mbretërinë e Shqipërisë në këto rrethana. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, siç dihet, Shqipëria okupohet nga trupat italiane, serbe e greke dhe në vitin 1915, edhe nga fuqitë e ashtuquajtura të qendrës.
Kërkesa e dytë
Pas shtatë viteve (1921) i adresohet një kërkesë tjetër shtetit zviceran për ta njohur Shqipërinë. Kësaj radhe kërkesën e bën një delegacion shqiptar, që në atë kohë po qëndronte në një hotel në Gjenevë. Kërkesa e dytë bëhet më 20.1.1921, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme zvicerane në emër të qeverisë shqiptare, ku kërkohet njohja de jure e Shqipërisë nga qeveria zvicerane dhe lutet për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike. Në këtë kërkesë, delegacioni shqiptar i bashkëngjit edhe një memorandum (i nënshkruar nga Fan Stilian Noli), në të cilin tërheq vëmendjen për atë që kishte ndodhur në Konferencën e Londrës, ku Shqipëria, më 15.7.1913 kishte fituar pavarësinë. Siç dihet, nënshkruese të kësaj konference kanë qenë Austria, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Rusia. Më tutje, në memorandum thuhet se, Shqipëria në vitin 1914 është pranuar si shtet i pavarur nga shtetet e ndryshme si: Rumania, Bullgaria, Serbia, Greqia dhe gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës. Në përgjigjen e shtetit zviceran, dhënë kësaj kërkese (24.1.1921), ministri i Punëve të Jashtme e falënderon për këto njoftime, por pa marrë ndonjë qëndrim për çështjen e njohjes së pavarësisë. Ngjashëm siç kishte ndodhur edhe me kërkesën e Vidit, Ministria e Jashtme e Zvicrës, më 25.1.1921 iu shkruan përfaqësive diplomatike të saja në shtetet e ndryshme për të dhënë informacione nëse shtetet ku ata ishin të akredituar e kishin njohur apo jo pavarësinë e Shqipërisë dhe nëse po, si e kishin bërë ato shtete këtë hap. Po ashtu, kërkohet të njoftohet nëse qeveritë ku ata ishin të akredituar i kishin njohur kufijtë e caktuar në vitin 1913.
Në këtë shkresë reagojnë përfaqësitë diplomatike zvicerane nga Belgjika, Britania e Madhe, Franca, Rumania, Spanja. Edhe në muajt vijues, Zvicra e trajton dhe e shqyrton kërkesën për njohjen e shtetit shqiptar, por pa marrë ndonjë vendim a qëndrim.
Pas marrjes së detyrës nga konsulli shqiptar në Vjenë, me ç‘rast njoftohet edhe përfaqësia zvicerane, e shtyn diplomatin zviceran t‘i drejtohet qeverisë së vendit të tij (22.12.1921) për t‘u njoftuar se si qëndronin raportet mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Në përgjigjen e datës 27.12.1921, njoftohet përfaqësia zvicerane në Vjenë se, Shqipëria nga Zvicra ende nuk është pranuar as de facto e as de jure.
Kërkesa e tretë
Kërkesa për njohje nuk do të ndalet edhe më tutje. Kështu, më 30.1.1922 sekretariati i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve i adreson një kërkesë tjetër ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, i përkohshëm, qeverisë zvicerane, ku ripërsëritet kërkesa për njohjen de jure të vendit. Kjo kërkesë thirret edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Paris (9.11.1921), ku merret vendimi dhe nënshkruhet njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga përfaqësuesit e Italisë, Japonisë, Francës dhe Britanisë.
Edhe kësaj radhe, qeveria e Zvicrës i drejtohet me një shkresë përfaqësive të saja në të gjithë botën. Për t‘u informuar se cilat ishin qëndrimet e qeverive ku ato ishin të akredituara lidhur me çështjen e njohjes së sovranitetit të Shqipërisë. Nga përgjigjet që vijnë, del se ajo që ishte thënë në kërkesën e fundit të ministrit të Jashtëm shqiptar, ishte e saktë dhe se këtyre vendeve iu ishte bashkangjitur edhe Gjermania, përderisa Austria kishte bërë një njohje de facto.
Kërkesa e katërt dhe e fundit
Ndërkohë, drejtori i sekretariatit të përhershëm të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve i drejtohet përsëri qeverisë zvicerane me një kërkesë të re (24.2.1922), ku thirret përsëri në Konferencën e Ambasadorëve në Paris (1921), që Zvicra ta njohë Shqipërinë si shtet i pavarur. Dhe kjo ishte kërkesa e fundit që vinte nga pala shqiptare. E fundit, sepse qeveria dhe Ministria e Jashtme zvicerane, pas marrjes së kësaj kërkese kishte vlerësuar se kishte ardhur koha e përshtatshme për njohjen.
Me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme zvicerane, adresuar qeverisë zvicerane të datës 1.3.1922, miratohet kërkesa për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Viti 2007 ishte një mundësi e mirë për t‘u kremtuar 85-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri, çka nuk i bien kujt në mend kjo punë. Ky shkrim le të jetë i dedikuar kësaj çështjeje.
*Bashkëdrejtues i Albanisches Institut në St. Gallen. Autori i këtij shkrimi është duke punuar përreth dy vjet në materialin rreth temës. Ata që dëshirojnë ta përkrahin materialisht këtë studim, le të drejtohen në info@albanisches-institut.ch.
Në letrën e Von Wied thuhet me sa vijon:
Zoti President!
Me hirin e Zotit, me dëshirën e popullit shqiptar dhe me emërimin e Fuqive të Mëdha, që më thirrën të qeveris Shqipërinë, hipa në fron më 7 mars 1924.
Interesi që Shkëlqesia e Juaj përherë i ka kushtuar vendit tim më shtyn të shpresoj se do të keni mirësinë të mos ma mungoni mua miqësinë mirëdashëse Tuajën, për të ndihmuar në forcimin e pozitës së shtetit të ri në vendet e huaja, i cili është caktuar të luajë rolin e rëndësishëm të baraspeshës në Ballkan.
E lus të Gjithëfuqishmin e Mëshirëplotë të më ndriçojë në dritën e Tij, që të mund të siguroj lumturinë e popullit tim e t‘i garantoj një të ardhme ditëbardhë e të qetë.
U lutem Shkëlqesi, të jeni të bindur se do të jem gjithmonë i gatshëm t‘ju jap prova të mirënjohjes sime të thellë e se do të bëj të gjitha përpjekjet e mia për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me qeverinë e Konfederatës, me qëllim që të forcohen lidhjet ekzistuese mes shqiptarëve e kombit zviceran.
Mbetem Shkëlqesi sinqerisht miku i Juaj, Wilhelm
Pallati i Durrësit, 3 Mars 1914
Zotit President të Konfederatës Zvicerane
Memorandumi i Nolit
Akti i njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga shteti i Zvicrës