E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Kinën e kuqe ndodhet fabrika më e madhe e prodhimit të Biblave

Vendimi i Papës për të mos pritur Dalai Laman tregon qartë se sa delikate janë marrëdhëniet mes Vatikanit dhe Kinës. Në një fazë ku kisha tenton të rilidhë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Popullore, Benedikti XVI ka preferuar të mos kryejë asnjë gjest që do t‘i kushtonte zemërimin e Pekinit. Që feja vazhdon të jetë ende një terren i minuar në këtë vend, e konfirmon edhe një njoftim i publikuar në sajtin zyrtar të Lojërave Olimpike: "Mos mbani Bibla me vete". Do të ishte një telash i madh nëse Lojërat Olimpike do të bëheshin "kali" i Trojës për propagandimin e krishterimit.

Ndërsa kur bëhet fjalë për probleme të rëndësishme, regjimi kinez di të përdorë rregullin evangjelik: mos ta marrë vesh dora e majtë se çfarë bën e djathta. Ndërkohë që besimtarët kinezë

mund të jenë ende viktima të persekutimit, Kina bëhet prodhuesja dhe eksportuesja më e madhe e Biblave në botë. Ngjitja e saj në majat e tregjeve botërore është e përmasave të mëdha, madje edhe aty ku askush nuk e pret. Këtë vit, një milion e dyqindmijë

Bibla të prodhuara në Kinë janë shitur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Angli janë shitur gjashtëqind mijë të tilla. Data për marrjen e parësisë absolute është caktuar pas pesë muajsh. Në maj të 2008-ës, pranë Nankinit, kryeqyteti i vjetër i perandorisë buzë lumit Yance, do të inaugurohet shtypshkronja e Biblave, më e madhja në botë. Është një stabiliment krejt i ri, prej 85 mijë metër katrorë, që së fundmi ndërtuesit po e shndërrojnë në një park të rezervuar për funksionet industriale. "Është më e gjerë se bazilika e Shën Pjetrit", ka deklaruar e përditshmja "The South China Morning Post", në Hong-Kong. Falë rotativave të reja prej 4 milionë dollarësh të importuara nga Britania e Madhe, impianti do të prodhojë një milion Bibla të reja çdo muaj, 25% të të gjithë prodhimit botëror. Shtëpia botuese, që ka marrë në ngarkim këtë detyrë, quhet "Amity Printing" dhe sot është një prej gjigantëve më të mëdhenj. Që nga fillimet e saj në 1986-ën, ka publikuar më shumë se 50 milionë Bibla në 90 gjuhë të huaja, "nga sllovakishtja në disa dialekte të ndryshme afrikanë". Por kjo shtypshkronjë nuk është e vetmja në këtë detyrë. Konkurrentja e saj më e fuqishme, "China Translation and Printing Services", arrin të shtypë çdo vit një milion kopje të Testamentit të Vjetër dhe Ungjillit. Sipas Derek Hill, i "Bible Society" ("Shoqëria e Biblës") që është edhe drejtuesi i kishës anglikane, "ka shumë redaktorë të Biblës në çdo anë të botës, por prodhimi kinez po pushton vendet dominuese në Amerikë, Evropë dhe Korenë e Jugut". Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Shtëpitë botuese kineze si "Amity" e dinë se për ta shitja në tregjet e jashtme paraqet vetëm një pjesë të vogël të prodhimit. Pjesa më e madhe e artikujve që shkruhen është e destinuar për publikun vendas.

Tetëdhjetë për qind e Biblave, të cilat mbajnë markën "Amity", janë të shkruar në gjuhën mandarin ose në dialektin kinez dhe shiten 9.50 jen. Është një shenjë që tregon hyrjen e kistianizmit në Kinë, të cilën autoritetet janë munduar ta nënvlerësojnë në mënyrë sistematike. Nga ana tjetër, shtëpitë botuese janë të sigurta se një pjesë e madhe e besimtarëve kinezë nuk ka një ungjill në shtëpi. Në të kaluarën, Bibla ishte një libër i ndaluar dhe nëse zbulohej se kishe një të tillë në shtëpi, arrestoheshe dhe internoheshe. Kush qëndron në krye të shtëpisë botuese "Amity Printing", e cila po lulëzon në krah të fabrikave si "Motorola" e "Ford", me drejtor një neozelandez? Pas këtij grupi qëndron një aksioner i veçantë, që krijohet nga bashkimi mes një shoqate filantropie kristianësh kinezë dhe "United Bible Societies". Kjo e fundit është në krye të një këshilli botëror kishash protestante, që në Kinë janë të pranishme prej shumë vitesh. Që nga viti 1986, ishin kapitalet e kishave protestante angloamerikane pas fondacionit të "Amity Printing" në Nankin, pra një investim largpamës. Në shumë vende të Evropës, kristianët kinezë identifikoheshin me raportet jo shumë të mira mes Republikës Popullore dhe Selisë së Shenjtë. Raporte që u ndërprenë barbarisht në planin diplomatik në vitin 1951, kur Mao vendosi largimin e misionarëve. Më pas, këto marrëdhënie u bënë edhe më të ndërlikuara, për shkak të një kishe patriotike që i bindej regjimit. Më pas erdhi periudha e errësirës, ateizmit dhe persekutimit të dhunshëm në periudhën e revolucionit kulturor (1966-1976).

Edhe pas vdekjes së Mao-s, regjimi i liberalizoi gradualisht disa aktivitete fetare, duke bërë që katolikët kinezë të jetojnë ende në një lloj ndarjeje. Nga njëra anë janë rreth 5 milionë besimtarë që frekuentojnë famullitë "patriotike", me priftërinj dhe peshkopë, që janë betuar për besnikëri ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, është kisha katolike e jashtëligjshme që i qëndron besnike Vatikanit dhe ndiqet nga një numër i madh adhuruesish (nga 8 në 12 milionë), por është gjithmonë e ekspozuar ndaj rrezikut të arbitraritetit dhe abuzimeve të shëmtuara.

Galaktika e botës së protestantëve ka karakteristika nga më të ndryshmet, e gjithashtu një audiencë mjaft të gjerë. Të tilla vlerësime arrijnë në 40 milionë praktikantë. Edhe ky është një kontinent gjysmë i zhytur, që i është nënshtruar kontrollit të shtetit, ilegalitetit dhe persekutimit. Si për ironi të fatit, një nga "krimet" më të kundërshtuara nga ana e policisë kineze është edhe shpërndarja e paautorizuar e Biblave. Për regjimin e Pekinit, ky rrjet protestuesish përfaqëson një sfidë ndryshe. Nuk i përulet një autoriteti fetar si Papa i Romës, një figurë "e rëndë" për Partinë Komuniste, që nuk pranon konkurrentë në detyrën e orientimit të qytetarëve të saj. Megjithatë, bota e kishave protestante ka financime të pakufishëm, që vijnë nga kanale të ndryshme prej Amerikës, Britanisë së Madhe, Australisë dhe Koresë së Jugut. Veç të tjerash, drejtuesit komunistë i tremben shtimit të pakontrolluar të sekteve, pasi u mblodhën nga përhapja fenomenale e Falun Gong vite më parë.

Ringjallja e kristianizmit, katolikëve ose protestantëve, prek shumë sektorë të shoqërisë civile. Zhgënjimi kundrejt komunizmit, materializmi që ka marrë dhenë në Kinën e zhvilluar ekonomikisht, po ushqejnë kërkimin e vlerave të reja. Një shfaqje e tillë do të ripërsëritet edhe këtë vit në festimin e Krishtlindjeve.

Në Pekin, Shangai e në qytetet e tjera të mëdha, në mbrëmjen e 24 dhjetorit famullitë e shumta mbushen plot me njerëz, e madje jo vetëm me besimtarë. Sulmohen nga turma njerëzit jo të pagëzuar, të tërhequr nga liturgjia dhe kuriozë nga fenomeni fetar. Ndoshta ndonjë ditë, edhe atyre do të mund t‘u shitet një Bibël. Sigurisht, biznesi i "Amity Press" nuk rrezikon të mbyllet. Fabrikës së saj model, me 600 vartës dhe shtëpitë botuese plot me të ardhura nga eksportimet, regjimi do t‘i garantojë gjithmonë një trajtim me doreza mbrojtëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›