Energjia, krizë edhe në vitin 2008
Pavarësisht premtimeve të
Kryeministrit Sali Berisha
se situata energjetike në
vend do të përmirësohet, ekspertë
të energjetikës janë pesimistë.
Kjo do të thotë se ndërprerjet
e energjisë në ditët në
vazhdim mund të reduktohen.
"Situata energjetike në vend ka
një përmirësim dhe do të përmirësohet
më tej", u shpreh Kryeministri.
Ekspertët thonë se
skenari më optimist me treguesit
aktualë është ai që i ngarkon
shqiptarët të paktën me dy orë
kufizime gjatë vitit që vjen. Një
studimi i bërë kohë më parë,
ka arritur në përfundimin se
edhe me prodhimin maksimal
si dhe me importet më të larta,
që lejojnë linjat aktualisht, Shqipëria
duhet sërish të përballet
me dy orë kufizime të energjisë
elektrike në ditë. Në rastin më
të mirë, KESH-i ka arritur të importojë
deri në 2.4 miliardë kilovat
orë energji në vit dhe ka prodhuar
brenda gati 5 miliardë kw.
"Nëse do të ishim në vitin më të
mirë me më shumë reshje nga
Fierza nuk mund të prodhohet
më shumë se 4.2 miliardë kilovat
orë energji, në mënyrë që në
muajin dhjetor ky basen të ketë
një rezervë sigurie minimale
prej 275 metra mbi nivelin e detit",
thotë ish-zëvendësministri
i Energjetikës, Pajtim Bello. Por
kërkesa për energji vazhdon të
rritet me ritme të larta. "Sipas
llogarive tona, del se nevojat e
vendit për energji shtohen me
5 për qind nga viti në vit", thotë
Lulzim Qinami, shef i Operatorit
të Sistemit të Transmetimit për
Tiranën.
Deficiti 800 milionë
Aktualisht Shqipëria ka një
kërkesë prej 7.5 miliardë kilovat
orësh në vit. Importi maksimal,
bashkë me prodhimin më
të lartë të mundshëm në vend,
shkojnë në 6.2-6.5 miliardë kilovat
orë. Nga kjo del se deficiti llogaritet
në rreth 800 milionë deri
në 1 miliardë kilovat orë në ditë.
"E thënë ndryshe, kjo do të thotë
mesatarisht 2 orë kufizime në
ditë në rang vendi, pavarësisht
se qeveria mund të luajë, duke
i ngarkuar fshatit më shumë
ndërprerje", thotë më tej Bello.
E ndërkaq, shefi i qeverisë nuk
ka dhënë detaje se si do të administrohet
situata pas festave të
fundvitit. Qeveria, por edhe Korporata
Elektroenergjetike Shqiptare
nuk kanë paraqitur deri më
tani në publik asnjë plan konkret
se si do të administrohet situata
për vitin e ardhshëm në mënyrë
që të shmanget një krizë tjetër
e rëndë si kjo që po kalojmë.
Tashmë është e sigurtë se për vitin
që vjen, burimet energjetike
do të jenë këto që janë tani, çka
do të thotë se prodhimi vendas
nuk ka asnjë gjasë që të rritet.
Korporata shpreson që qeveria
të lejojë rritjen e çmimit të energjisë,
duke bërë që ajo të ketë më
shumë fonde në dispozicion për
ta blerë atë nga jashtë. Por kjo
shtron një problem tjetër.
Paratë nuk janë zgjidhja
Një ditë më parë, konsumi
i energjisë në rajonin Tiranë-
Durrës shënoi një rekord historik,
të paarritur kurrë më parë.
Këto dy qytete konsumuan mbi
8 milionë kilovat orë për 24 orë,
në një kohë që rekordi i vitit të
kaluar u shënua në natën e Vitit
të Ri të 2007-ës, me 7 milionë
e 300 mijë kilovat orë. Në rang
vendi kërkesa për energji në
periudhën pik është gati 25 milionë
kilovat orë në ditë. Por së
fundmi, po vihet re një fenomen
tjetër që ka të bëjë me arritjen e
kërkesës pik edhe gjatë stinës së
verës, për shkak të përdorimit
masiv të kondicionerëve. Kjo do
të thotë se kërkesa tashmë ka arritur
majat dhe prodhimi vendas
dhe mundësitë për import janë
të kufizuar. Aq më tepër që për
2008-ën jo vetëm prodhimi, por
as importi nuk mund të rritet
për shkak se asnjë linjë e re transmetimi
nuk është parashikuar
të ndërtohet.