E Diel, 1 Nëntor 2026

"2008, viti i privatizimeve në Fier"

Viti 2008 do të jetë viti i reformave të mëdha për Qarkun e Fierit. Shumë sektorë publikë do të privatizohen. Numri i fuqisë punëtore do të vijë duke u pakësuar. Gjithçka është e përcaktuar dhe e limituar dhe është e pamundur të sistemohen. Në një intervistë për "Shqip", prefekti i Fierit, Shahin Bejtaj, sqaron problemet që hasen.

Në dy vitet e drejtimit të Prefekturës së Fierit, pasi më parë keni qenë sekretar i përgjithshëm i saj, ku është përqendruar puna e prefektit?

Për sa i përket pozicionit tim në krye të Prefekturës së Fierit, unë mendoj se ka qenë një përgjegjësi që është vlerësuar nga ana ime, sepse Prefektura e Qarkut të Fierit është një nga qarqet më kryesore të vendit, po të kemi parasysh edhe shtrirjen gjeografike e numrin e popullsisë. Gjatë periudhës dyvjeçare, në krye të këtij institucioni është parë me përparësi realizimi i prioriteteve dhe programeve të qeverisë. Në përgjithësi, në vëmendjen tonë ka qenë realizimi i reformës administrative, pasi, siç dihet, realizimi i reformës, parë nga këndvështrimi i administratës publike, ku si kriter kryesor ka qenë meritokracia, ose merita dhe aftësitë personale të çdo njërit që ka qenë aktor e faktor në administratën publike. Nuk mund të pranoj se në këtë drejtim gjithçka ka qenë e përkryer, pasi është e pamundur që në rastet e emërimeve, ose zëvendësimet në administratën publike të mos ketë probleme, si ato që kanë kaluar apo që janë prezente aktualisht. Lidhur me korrupsionin nëpërmjet organeve të kontrollit, sidomos nëpërmjet auditit të brendshëm, ne kemi ushtruar kontrolle në të gjitha njësitë vendore të Qarkut të Fierit për përdorimin e fondeve buxhetore.

Kontrollet e auditit të prefekturës mbi të gjitha komunat e bashkitë e qarkut ka hasur me probleme. Cili është raporti i kontrollit më të fundit në njësitë vendore të qarkut?

Ajo që duhet të them është se gjatë këtyre kontrolleve ne kemi konstatuar shkelje, që janë shumë herë më të larta se ato të vërejtura në periudhën përpara vitit 2006. Mund t‘ju përmend vetëm faktin se gjatë vitit 2007 ne kemi konstatuar 37 milionë lekë të reja shkelje në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që i janë nënshtruar kontrollit të brendshëm financiar të tyre. 80% e shkeljeve financiare i përkasin vitit 2006 dhe 2005 dhe vetëm 20% i përkasin vitit 2007. Gjatë 2007-ës numri i njësive të qeverisjes vendore i janë nënshtruar kontrollit të auditit, ndërsa pjesa tjetër e komunave dhe e bashkive do të kontrollohen gjatë këtij viti.

Keni emra konkretë të personave që drejtojnë komunat dhe bashkitë, emra që kanë drejtuar ato, apo dhe që janë pjesë e administratës së qeverisjes vendore e që kanë rezultuar se janë autorë të shkeljeve financiare e administrative e që padyshim kanë regjistruar abuzim me fondet publike?

Padyshim që emrat janë konkretë, natyrisht kur bëhet kontrolli ne flasim për persona konkretë e për përgjegjësi konkrete. Ne kemi konstatuar shkelje në Këshillin e Qarkut, në Komunën Cakran në bashki e komuna të tjera. Drejtuesit kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe mbi bazën e shkeljeve të gjetura kemi rekomanduar edhe masat konkrete, që fillojnë që nga vërejtje me paralajmërim dhe rekomandim për pushim nga puna, natyrisht edhe masa të tilla për ndjekje penale të atyre personave që kanë shkelje të theksuara. Nga 37 milionë e 400 mijë lekë shkelje, të cilat janë kërkuar për zhdëmtim, këto përbëhen nga evazion fiskal 12 milionë e 613 mijë lekë, në paga dhe shpërblime 7 milionë e 872 mijë, në prokurime publike janë konstatuar shkelje në 9 milionë lekë, në fondet buxhetore 6 milionë e 125 mijë lekë shkelje, në shërbimet e tjera 1 milion e 350 mijë. Shkelje financiare janë vërejtur në 111 raste, me 43 mijë e 939 lekë, shkelje të procedurave ligjore janë 157 raste, me 49 mijë e 804 lekë. Duhet të theksoj se komunat e bashkitë janë kontrolluar për periudhën 2005-2006 dhe periudhën 2007 vetëm në 20% të tyre është ushtruar kontroll. Për shkeljet e konstatuara janë rekomanduar masa disiplinore 100 raste, vërejtje me shkrim dhe vërejtje me paralajmërim 53 persona, për largim nga detyra 18 persona, ulje në detyrë 2 persona, masë gjobe 42 persona për 1 milion e 259 mijë lekë, është kërkuar të bëhen padi gjyqësore për administratën e Këshillit të Qarkut të Fierit dhe Komunën Cakran e për Bashkinë Ballsh për 12 persona, për 19 milionë e 245 mijë lekë. Kanë nisur procedurat e padisë për 18 persona nga komunat dhe së fundi ka nisur procedura për padi për këshillin e qarkut. Ndër emrat që kanë shënuar më shumë abuzime me fondet publike janë ish-kryetari i Komunës Cakran, Kujtim Sherifi, dhe ish-shefi i Këshillit të Qarkut, Ilir Danon, si dhe ish-kreu i Bashkisë Ballsh, Fitimtar Jahaj, si dhe i gjithë Këshilli Bashkiak Ballsh.

Prefektura është në proces gjyqësor pranë shkallëve të gjykimit për 19 raste. Nga këto, sa raste ky institucion është i paditur dhe cili është ai objekt padie me numër më të lartë veprash që janë në gjykim?

Për vitin 2007 kanë marrë konfirmim ligjor në përputhje me ligjin 1286 vendime, nga 1415 që janë paraqitur. Janë kthyer si në mospërputhje me ligjin 3 urdhra administrativë dhe 112 vendime të këshillave. Për sa u përket problemeve, ku institucioni i prefektit është paditur, kanë qenë 19 persona që janë prekur nga zbatimi i reformës në administratë. Kanë qenë për vitin e shkuar gjithsej 19 procedime në gjykatë, ose 19 çështje të paditura në gjykatë, nga të cilat ne kemi fituar 14. Një është humbur në shkallën e parë të gjykimit nga ana e prefekturës dhe të gjitha proceset e prefekturës janë në shkallën e dytë të gjykimit. Por, me shumë mangësi kanë shkuar edhe në procese gjyqësore. Shkelje procedurash janë vërejtur gjatë zgjedhjeve të kryepleqve nëpër fshatra, ku janë fokusuar më tepër probleme. Ne kemi pasur probleme në Komunën Levan, Bashkinë Patos, në të gjitha komunat e qarkut, ku më shumë e ku më pak. Për të gjitha këto raste ne kemi ndërhyrë, por kemi rekomanduar edhe zgjidhje dhe pothuajse të gjitha problemet janë zgjidhur konform ligjit, siç është rasti i Levanit apo në Komunën Aranitas.

Ju i përkisni Partisë Agrare, pozicionimi juaj si prefekt mos duhet të cilësohet si fuqizim i kësaj partie në Fier?

Jo, që në momentin e parë që kam marrë këtë post kam dhënë dorëheqjen nga partia dhe dua të cilësohem si prefekti i të gjithëve. Unë jam i të gjithëve, pavarësisht se kush e ka qeverisjen apo dhe drejtimin e pushtetit vendor. Unë nuk e kam parë veten time t‘i shërbejë partisë nga rrjedh, por duhet të them se koalicioni vepron si figurë unike në qeverisjen e sotme.

Ku do të përqendrohet puna e institucionit të prefektit për të ardhmen? Viti 2008 që e prekët me reforma të pritshme, sa zbutëse do të bëhen ato nga prefekti i komunitetit të një qarku kaq të madh?

Viti 2008 do të jetë viti i punëve dhe përgjegjësive të mëdha. Një nga drejtimet kryesore të vitit 2008 do të jetë privatizimi i sektorëve strategjikë si ARMO, ujësjellësit, Kontrolli i Shfrytëzimit të Automjeteve dhe padyshim pas këtyre do të kërkohet angazhim i të gjithë faktorëve. Do të ketë impakte negative në administratat e tyre, por do të kapërcehet. Një prioritet tjetër do të jetë modernizimi i gjendjeve civile, pasi këtë vit do të pajiset e gjithë popullsia me karta identiteti. Ne në Qarkun e Fierit po ecim me ritmet që kërkohet për këtë proces. Drejtim tjetër është ndjekja hap pas hapi e zbatimit të buxhetit të shtetit nga komunat e bashkitë. Viti 2008 do të jetë viti i investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore, jo vetëm të rrugëve kombëtare e qendrore brenda zonave urbane, por edhe në zonat rurale. Fondet do të jenë shumë më të mëdha këtë vit dhe ne kemi si qëllim zbatimin e tyre me disiplinë financiare, si dhe çuarja përpara e decentralizimit. Kontroll do të ketë mbi administratën shtetërore lidhur me shpenzimet. Ulja e evazionit fiskal është një prioritet i yni. Duke pasur parasysh numrin e bizneseve të licencuara, në këtë drejtim për vitin e shkuar ka pasur rrjedhje dhe këtu do të përqendrohet vëmendja e kontrolleve tona. Ka pasur evazion fiskal në shkallë të lartë, madje ky evazion fiskal është shprehur jo vetëm në bashkinë më të madhe, atë të Fierit, por edhe në Patos. Jemi dëshmitarë ku shumë subjekte ankoheshin se nuk trajtoheshin në mënyrë të barabartë përpara ligjit për vjeljen e taksave. Do të përqendrohemi te vjelja e taksës së tokës, pasi kjo taksë përbën pjesën më të madhe të të ardhurave të komunave. Ajo deri tani është paraqitur në nivele të ulëta, por do të këmbëngulet. Ndërkohë që për herë të parë këtë vit prefektura do të mbështesë një numër të madh aktivitetesh kulturore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›