E Diel, 1 Nëntor 2026

"Opingiada" ne vendin e Kokones

"Pushteti është i verbër, vuajtja është e heshtur". Është një sentencë, që mjeshtri Vedat Kokona e kishte pëshpëritur, siç shprehej ai, "si abati breviarin në orë dëshpërimi", në gjashtëdhjetë vitet e jetës. Përbri kësaj të thëne, mjeshtri i gjuhëshkëmbimeve vë edhe shprehjen: "Trutë janë si parashutat; që të funksionojnë duhen të jenë të hapura". Kjo e fundit më rivjen në vëmendje, këto ditë kur palët politike të vendit kanë nisur një debat grotesk në mjediset kryesore të politikëbërjes, në qeveri, Parlament dhe foltoret partiake për varfërinë reale, për shtrenjtimin e jetesës dhe për rritjen realisht goditëse të çmimeve.

Tallja e elitës politike për gjendjen, në të vërtetë përballet me sfidën e heshtjes së maturueshme të qytetarëve. Politikat sociale në këtë vend kanë gjithmonë administratorë qesharakë. Nuk është çasti të listojmë e të numërojmë institucione, por e vërteta është se disa sekuenca të ofruara në përditshmëri nga mediat tona, flasin qartë se ç‘po ngjet realisht. Deri ku po shkon rrënimi shpirtëror dhe material i kategorive me shumicë qytetarësh, deri ku mbërrin rrënimi moral dhe se si po dimensionohet frikshëm kriza e vlerave dhe e standardit në këtë vend. I mbetur prej disa ditësh mbi librin më të ri të sjellë prej familjarëve të Vedat Kokonës, nën titullin "Komedia e përjetshme", e gjej me vend të huazoj prej tij shprehjen: "Pushteti na lë ashtu siç jemi dhe i rrit të mëdhenjtë". Janë tri esse të këtij libri, që përbëjnë në vetvete një sintezë të të thënave të një njeriu të mençur, për kohën dhe njerëzit e jetëkontaktit të tij.

E pasthëna e Vedat Kokonës është vërtet e rrallë. Është një e pasthënë e pasvdekjes. Është sjellje në esse e të thënave kokoniane për një epokë tipike shqiptare të jetës së kësaj shoqërie. Verbi i tij është veshja e mendimeve të logjikshme, e një analize të bërë në vetë të parë dhe të thënë si për vetveten. Në fakt, hierarku i përkthimit, në këtë libër të ardhur pas ikjes fizike të tij nga jeta, ofron vetveten e pacensuruar. Është një fjalëthënës globalist i asaj që ai e vetëquan "Opingiada autoritariste". Le ta huajmë këtë metaforë socio-politike prej mjeshtrit Kokona. Opingiada mbetet ende një periudhë e ndyrë socio-morale për shoqërinë e këtij tranzicioni të tejzgjatur. Vërtet ndërrojnë gjeneratat, ndryshohet mentaliteti në metropole, por gjithaq është shtuar kontrasti. Shumicë mbizotëruese mbetet mjerimi, varfëria, paskrupullsia, vendqëndrimi dhe kohëvrasja kolektive.

Le të mos i shqitemi tipologjisë së mjerimit tonë social. Vdekja në vetmi e një jetimi e ofruar nëpër kronikat sociale të TV-ve nga reporterët lokalë, incestet e ngjara nëpër periferi të skajshme të fshatrave të harruara apo të lëna si oaze mjerimi dhe injorance, janë të mjaftueshme për një kujë publike, për një shkundje institucionesh dhe shërbestarësh publikë. Ato janë të mjaftueshme për të ngritur në kupë të qiellit një akuzë për të gjitha nivelet e qeverisjes, pavarësisht nga ngjyra politike e tyre. Të gjitha këto lajme të shpeshtuara, janë mjaftueshëm një akuzë e paadresuar mbi qeverisësit dhe mbi skotat e pushtetarëve. Kjo është pamja reale e "opingiadës rraskapitëse" të shoqërisë së ndenjur shqiptare. Për statusin e ndenjur të saj, kush do të japë një herë shpagë? Kush do të përballet me pretencën konkrete të kësaj vrasjeje tronditëse? Mjeshtri Kokona, dëshpërimisht kishte të drejtë: "…vuajtja është e heshtur".

Në këtë vend, heshtja e qytetarëve në shumicë është virtyt dhe mëkat. Vini re ç‘po ndodh me energjinë që mungon kohë pas kohe. Ka muaj që kthehet në makth kolektiv dhe kombëtar, sikundër ka muaj që harrohet se ka qenë prezente. Pas saj ndodh që si shtëllungë krize vjen frika prej çmimit të rritur të bukës, sikundër po frikshëm shfaqet pjesërisht kriza e paheqjes së plehrave. Gjithçka ngjet në këtë vend me jetë intensive, ku negacioni kryeson mbi energjizmin që ka kjo shoqëri, përballet me të dhe në shumicën e kohës, keqshpenzon këtë energji. Kokona shprehet: "Keni vënë re se pleqtë e qajnë përherë kohën e kaluar?". Në të vërtetë, kjo qarje natyrale njerëzore, në këtë vend, ka kuptim tjetër. Është qarje e vazhdueshme për të sotmen e pandërrueshme. Gjërat e vogla po konsumojnë jetët njerëzore të këtij vendi. Ndërsa qytetarët e tij mbartin energjizmin dhe frymën optimiste. Me shoqërinë ngjet sikundër thoshte Kokona: "Nuk ka mall te rinia për të djeshmen që i iku", por fatkeqësisht me elitën dhe përgjegjësinë e saj ndodh mbretërimi i mentalitetit që përkon me shprehjen: "Perëndia të shëron, mjeku të qëron".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›