Shqipëria, NATO dhe një "Dejton" ballkanas
Ka rreth 10-12 vjet që diskutohet për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe sa herë që çështja shtrohet me ngulm për zgjidhje para ndonjë evenimenti vendimmarrës si ky i radhës në Bukuresht, flitet më tepër me emocione se sa me logjikë e llogari. Ndërsa qeveritarët tanë përpiqen ta arrijnë këtë objektiv madhor, që ta kenë si një nishan në arritjet e tyre, opozitat mezi presin që kjo të dështojë. Ndonëse duket sikur kjo çështje do të zgjidhet me standardin e Stalinit për Papën (me ironi, kur ishte kërkuar nga perëndimorët edhe pjesëmarrja e Papës në vendimmarrje të rëndësishme, Stalini kishte pyetur për fuqinë ushtarake të tij para se të vendosnin për ta pranuar në tryezën e bisedimeve), pra me standardet, në fakt çështja në kancelaritë perëndimore shtrohet në bllok dhe e lidhur me gjeopolitikën e Perëndimit përballë Rusisë. Kjo e fundit ka gëzuar privilegjin e dominimit politik të rajonit qysh me vakumin Habsburgas dhe Perandorisë Osmane në rajon, pas Luftës së Parë Botërore, vakum që u mbush nga BRSS-ja pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas një sërë takimesh gjysmëinformale midis treshes fituese të kësaj lufte, Çurçillit, Ruzveltit e Stalinit në Konferencat e Jaltës, Teheranit dhe San Franciskos, përmes të cilave u mëtua vendosja e rendit të ri botëror. Ky rend krijoi të ashtuquajturën Luftë të Ftohtë dhe dy sistemet politiko-ekonomike vendosën në praktikë atë që, me eufemizëm Çurçilli do ta quante "perdja e hekurt".
Nga të dyja krahët e kësaj perdeje u krijuan dy blloqet ushtarake përkatëse të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Shqipëria ka aderuar formalisht në këtë të dytën deri në fundvitet ‘60, edhe pse "de facto" ajo dhe aleatja e saj, Kina, ishin të shkëputura nga blloku ish-sovjetik i influencës qysh në vitin 1960. Edhe pas kësaj armiqësie, Enver Hoxha dhe eskorta e tij politike e asaj kohe nuk kanë dashur largimin e prezencës ushtarake ruse nga vendi ynë dhe, pasi kjo ndodhi, Hoxha e akuzoi Bashkimin Sovjetik si tradhtar që kishte braktisur zonat e kuqe të influencës. Dihet se si përfundoi Lufta e Ftohtë. Shqiptarët kërkuan me ngulm qysh në vitet e para të pluralizmit të hynin në NATO dhe perspektiva, përkundër realitetit të derisotëm, dukej rozë. Jo më kot e përmendëm standardin stalinian të Papës. Në NATO ka vende si Islanda, që kanë peshë të papërfillshme në mbajtjen e barrës ushtarake. Por assesi nuk mund të mohohet pesha dhe rëndësia strategjike e vendeve të tilla për fuqinë më të madhe ushtarake në planet.
Pavarësisht nga përpjekjet e lavdërueshme, sidomos të ministrit tonë të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes, hyrja në NATO nuk do të varet nga marrëdhëniet bilaterale të kësaj të fundit me Shqipërinë dhe as me plotësimin e standardeve ekonomike e ushtarake të vendit tonë. Nuk është ky "ylberi" kryesor që duhet kapërcyer për të hyrë në këtë "pancir" euroatlantik të vlerave.
Ndoshta, duke u bazuar edhe te deklarata e fundit e para dy ditëve e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, këta të fundit po kërkojnë prishjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndërtimin e një "Dejtoni" për gjithë Ballkanin, si kusht për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndoshta këtë do të kërkojë e gjithë bota ortodokse e Evropës për të qëndruar dhe çlodhur një copë herë në shesh pushimin e 2008-ës, pas grumbullimit të fuqive të shkatërruara të viteve ‘90 dhe ndërtimit më pas të një dige kundër qytetërimit perëndimor në një pjesë të Ballkanit. Pra, ortodoksizmi do synojë ndërtimin e një "perdeje të re të hekurt, sipas vijës së qytetërimeve, ku qytetërimi i krishterë perëndimor dhe popullsitë myslimane të Bosnjës dhe shqiptarëve do ndodhen në interesa më të ngushta përballë qytetërimit ortodoks dhe imazhi hantingtonian duket se po i çel sythat paskëtaj. Rusia do kërkojë që, nëpërmjet kohës, të rikthehet në Adriatik, aty ku Pjetri i Madh qysh prej 3-4 shekujsh ia ka caktuar cakun jugperëndimor.
Ky propozim, pra, ka qenë, mesa duket, guri i fundit i Rusisë për ta lëshuar Kosovën, duke marrë për Serbinë Republika Srbska nga territori i Bosnjës, si dhe duke vendosur për të ardhmen e Maqedonisë (e cila mendojmë se assesi nuk ka për të hyrë në NATO dhe BE ashtu siç është sot), si dhe disa enklavave të ndërmjetme territoriale si Veriu i Ibrit dhe zona Medvegjë-Preshevë-Bujanovc. Në këtë mënyrë, palët do të ndaheshin më me dinjitet dhe do t‘ia linin kohës avancimin në një krah apo në krahun tjetër. Gjithashtu, Rusia mund të ketë marrë garanci për lëshime të tjera, si dhe për rregullime territoriale në vende të tjera prej bllokut perëndimor dhe veçanërisht SHBA-së.
A do të bëhet kjo para shpalljes së pavarësisë së Kosovës apo pas këtij akti, këtë do ta shohim. Kjo ndërhyrje emergjente dhe një deklaratë e kreut të Mbrojtjes në SHBA, Gejt, se Rusia do të rrijë urtë pas shpalljes së pavarësisë, që mendohet se do të jetë në datën 17-18 shkurt, na çon te mendimi se "Dejtoni" për Ballkanin mund të jetë më vonë dhe, vetëm pas kësaj Rusia mund t‘i lërë radarët dhe raketat e saj pak më të përgjumura nga ana perëndimore e kufirit të saj. Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja se përse ambasada e SHBA-së nuk është shumë optimiste për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe nëse kjo nuk do të ndodhë në Bukuresht, s‘do të thotë se fajin e ka PD-ja, Berisha, Basha apo Mediu, ashtu siç nuk do të thuhej edhe e kundërta, nëse Shqipëria do të hynte në NATO. Pra, problemi është gjeopolitik e për shkaqe të jashtme e jo vetëm për shkaqe të brendshme. Zgjidhja e çështjes shqiptare, Kosova dhe Maqedonia Perëndimore nuk mund të zhbëhen aq lehtë nga realitetet e sotme. Fuqitë evropiane dhe sidomos Rusia kanë derdhur gjak për disa shekuj për t‘i përfituar këto privilegje imperialiste mbi Ballkanin dhe largimi i saj nga këto privilegje nuk mund të realizohet shumë lehtë. Ky pozicion i shqiptarëve sot është arritur me ndihmën e Perëndimit dhe sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që duhet t‘u përulemi gjithmonë me respekt.