E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle e Buna: Të përjashtohet trupi gjykues

Kërkesat për përjashtimin e trupit gjykues që po shqyrton çështjen në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit janë shtuar. Dje, avokatët mbrojtës të të pandehurve Indrit Dokle dhe Kujtim Buna kanë depozituar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet kërkesën e tyre për përjashtimin e trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari. Pak ditë më parë, një kërkesë të tillë ka bërë edhe i pandehuri Sardian Sulejmani. Verbalisht mbrojtësit ligjorë e kishin kërkuar përjashtimin e trupit gjykues që në seancën e fundit të procesit, kur situata u acarua për shkak të rrëzimit nga gjykata të kërkesave paraprake të mbrojtjes. Avokatët e akuzuan trupin gjykues se ishte vendosur në krahun e akuzës dhe nuk po gjykonte në mënyrë të pavarur.

Situata e acaruar që u krijua në seancën pararendëse të procesit ndaj të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit ka vijuar me procedurat për përjashtimin e trupit gjykues. Në seancën e kaluar përplasjet midis avokatëve dhe gjykatësve u pasuan me acarimin e të pandehurve. Kujtim Buna u ngrit nga vendi duke iu drejtuar me zë të lartë kryesuesit të seancës. Ai ka thënë se gjykata me vendimet e saj ishte duke mbrojtur Adriatik Colin, i cili e kishte qëlluar me armë në Tiranë. Nga ana e tij, kryetari i trupit gjykues i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit që të pushonte, pasi do ta nxirrte jashtë nga salla, por ky i fundit ka deklaruar se do të largohej vetë nga procesi. Në këtë moment, nga salla dolën edhe disa prej avokatëve mbrojtës, të cilët deklaruan se nuk kishte më kuptim të qëndronin në proces. Ata, gjithashtu, konfirmuan se do të kërkonin zyrtarisht përjashtimin e trupit gjykues, për shkak të njëanshmërisë së tij .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›