E Diel, 1 Nëntor 2026

Po pas pavarësisë nga Serbia?!

Kosova po përgatitet për shpalljen e pavarësisë. Por ngado që të rrotullohesh gjendesh midis festës dhe folklorit. Mbrapsht -numërimi ka nisur. Diku llogariten dhe deklarohen jo dhjetëra, por mbi 100 shtete, që janë gati për të duartrokitur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha manifestimet festive: prej flamujve gjigandë, deri te koncertet simfonikë, janë bërë gati. Dhe gjithë ky entuziazëm për popullin e Kosovës është krejt i ligjshëm. Mijëra shqiptarë dhe qindra mijë vjet burgje janë shënjuar "për flamur", madje jo për flamurin tamam, por thjesht për ngjyrat kuq e zi. Ata kanë të drejtë që t‘i gëzohen kësaj dite. Por prijësit e tyre - protagonistë të veprimit politik, mendimtarë me ndikim dhe të tjerë që vijnë më pas, kanë përgjegjësi për të parë përtej festës. Është vërtet koha për të kënduar?! Dhe si do të këndojmë në atë çast të bekuar?

Në artikullin e tij "Pavarësi për Kosovën? Efekti domino! Çfarë kufijsh do të ketë tani Shqipëria?", botuar këto ditë, në "Le Monde Diplomatique", gazetari francez Jean-Arnault Dérens duket sikur i trembet dhe i ikën së tashmes. Ai vetëm pyet dhe nuk përgjigjet. Nuk besoj se mund të vlejë më logjika se "s‘pritet tjetër nga Parisi" dhe se "Versaja që krijoi ish-Jugosllavinë e parë nuk do të ndryshojë lehtë mendje". Për faktin e thjeshtë se aleancat e vjetra euro-ballkanike, me shuarjen e konflikteve të brendshme në bashkësinë evropiane dhe krijimin e një çatie shtetërore të vetme, janë rindërtuar në përputhje me filozofinë e përjashtimit të konfliktshmërisë së brendshme. Me kohë shtetet e Evropës kanë rënë tashmë në një mendje edhe për përparësi të përbashkëta, prej të cilave burojnë të gjitha aleancat.

Nuk ka shkuar shumë kohë nga ajo ditë kur ndodhi krejt paqësisht referendumi i malazezëve për pavarësinë e tyre. Populli votoi, përfundimi doli, Mali i Zi u njoh menjëherë si anëtar i OKB-së, e në Tiranë u shtua një ambasadë e re. Referendumi e vulosi pavarësinë me një diferencë shumë të vogël votash. Kishin edhe malazezët mjaft të drejtë të festonin me madhështi. Sjellim në vëmendje se kur Mali i Zi kishte qenë shtet ("knazevina"), Serbia gjendej ende thjesht si pashallëk i ish-perandorisë osmane ("Beogradski pasalik"), flasin dokumentet e kohës. E gjithçka u përcoll me solemnitetin e merituar, pa folklor, pa festivale, pa shpërthime kolektive.

Entuziazmi dhe folklori për të cilët është për të pasur frikë se mos dominon në Kosovë nuk është, në këtë rast, një çështje thjesht psikologjike, në kuptimin që duhet të festosh për qejfin tënd, e jo për inat të tjetrit. Por vetëpërmbajtja, për të cilën flitet shumë në shtypin botëror e në atë tonin, duke iu referuar "së nesërmes" në Kosovë, ka të bëjë me shkaqe më të thella. Është e sigurt se Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Shqipëria. Tirana dhe Prishtina mburren për këtë fakt. Prej kohësh ata flasin për marrëdhëniet midis "dy vendeve dhe dy shteteve tona". Vetëm çështje ndërkufitare nuk janë diskutuar ende. Edhe problemi i simboleve kombëtare është hapur. Zgjidhja "një flamur e një bajrak", për të cilën kam pasur rast të shkruaj disa kohë më parë (flamur kombëtar për festë dhe flamur zyrtar për të shënjuar veten dhe institucionet), mbetet edhe sot.

Kosova shkon në mënyrë të pashmangshme drejt pavarësisë nga Beogradi. Po më tej?! Pikërisht këtu hapen shumë probleme, për të cilat shtetasit duhet të jenë të informuar. Sepse fshehja e një pjese të së vërtetës është po aq mashtrim sa gënjeshtra.

A e bën Kosovën shtet pavarësia nga Shqipëria dhe, ca më shumë, pavarësia nga Serbia? Dhe a e bën Kosovën të pavarur vetëm shpallja e pavarësisë? Përvoja historike na bën thirrje që të jemi të vëmendshëm. Shteti shqiptar, apo "Shqipëria shtetërore", siç thuhet në terminologji, u shpall e pavarur më 1912, por pavarësia e saj u njoh vetëm në vitin 1920. Madje edhe pavarësia e vitit 1920 ishte e kontrolluar. Nuk ka asnjë lajthitje në shkrimin e "Le Monde Diplomatique", i cili i referohet traktatit italo-shqiptar të vitit 1926, si çasti i ringritjes së shtetit shqiptar. Sepse Konferenca e Ambasadorëve ia la kujdestarinë e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm të saj Romës. Dhe shteti i brishtë shqiptar "e kaloi provën" vetëm pas nënshkrimit të traktatit të sigurisë dhe bashkëpunimit me Italinë.

Në rastin e Kosovës shpallja e pavarësisë është vetëm trokitja në një kohë të re, një proces që ka nisur me një krye- tha Kadareja i madh. Ky është vetëm një hap, një hap i përparmë. Më tej është procesi që vjen e shtrihet hap pas hapi. Është "shugurimi" i pavarësisë, janë marrëveshjet e përkohshme e po të numërojmë më pas janë dhe marrëveshjet e përhershme. Një vend bëhet i pavarur vetëm kur fiton të drejtën e subjektivitetit ndërkombëtar, të drejtën për të ushtruar votën baras me të tjerët në OKB dhe në nënfishet e saj. Pavarësia e Kosovës nga Serbia nuk e nënkupton ende de jure këtë të drejtë. Sepse "muri kinez" që ndan pavarësinë e Kosovës nga Serbia prej krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës është juridik dhe është pikërisht rezoluta 1244.

Në të vërtetë, të entuziazmohesh për pavarësinë duke qenë ende në fuqi kjo rezolutë, e cila njeh integritetin e Serbisë dhe sovranitetin e saj mbi Kosovën, është diçka e papajtueshme me vetëpërmbajtjen. Kosovë shtetërore nuk ka madje as në "paketën Ahtisaari".

Pas pavarësisë së shpallur do të ketë zhvillime të reja pozitive në Kosovë. Beogradi, sipas shumë gjasash, do të duhet ta pranojë kufirin e ri, ndonëse po përpiqet të bëjë të pamundurën për të krijuar një "Kosovë të vogël" si ngushëllim për nostalgjinë e vjetër në një kënd jugor të saj.

Ǒdo të bëhet më tej?! Më tej do të arrijë misioni "Eu-lex", apo "Euro-lex", apo "Eu-mik", i cili do të zëvendësojë hap pas hapi UNMIK-un. Janë mbi 2000 ekspertë të vendeve evropiane, që janë specializuar për të ushtruar deri edhe kompetenca vendore në Kosovë.

Misioni UNMIK është mandatuar prej Këshillit të Sigurimit. Pushtetet e këtij misioni burojnë nga rezoluta 1244. Po misionin "Eu-lex" (ligji evropian) kush do ta mandatojë? Një provë e madhe gjendet jo vetëm para shqiptarëve. Më 1999 ishte prova e NATO-s: në 50-vjetorin e saj ajo kishte për detyrë që të vendoste paqen në rajonin e ngatërruar ballkanik dhe të mbronte një popullsi të pafajshme.

Tani prova nuk është më për strukturat ushtarake euro-atlantike, por për funksionimin politik të Evropës së Bashkuar. E si do të mund të zgjidhej kjo?

Evropa e Bashkuar mund të përshtatë sjellje tjetër për procedurat e anëtarësimit në hapësirën e saj për shtetet dhe rajonet e Ballkanit pranadriatik. Dihet se Brukseli ka vendosur që të anëtarësojë shtete që i përkisnin botës së Lindjes, vetëm pasi ato dhanë prova të forta se i kishin kaluar problemet me fqinjët. Kjo bën pjesë në parimet e saj. Rumania "harroi" Moldavinë, Hungaria "harroi" Transilvaninë dhe Vojvodinën. Serbët ca më shumë (por jo krejt fare dhe shqiptarët) nuk e kanë harruar Kosovën. Atëherë sjellja evropiane mund të ndryshojë: në fillim pranojmë "problemin", Kosovën, dhe pastaj fqinjët le të piqen (të maturohen) për të pranuar bashkëjetesën nën një çati.

Por edhe në këtë rast dalin shumë pikëpyetje: Ǒdo të jetë Kosova me "Eu-lex"-in, përveçse e pavarur nga Serbia dhe Shqipëria? Një rajon?! Termonologjikisht "rajon" dhe "krahinë" kanë të njëjtin kuptim. Sigurisht, tani "pavarësi nga Serbia dhe rajon në Evropë" është shumë më mirë se çdo kohë tjetër për Kosovën. Por a është kjo ëndrra e shqiptarëve në Kosovë dhe a përligjet gjithë ai entuziazmi i tashëm vetëm me kaq?! Jo dhe Jo! Sepse të gëzohesh midis festës dhe folklorit është vërtet shumë pak. Gëzimi dhe njëherësh hidhërimi kërkojnë barabar dinjitet!

* Ky shkrim merr shkas nga artikulli i mësipërm i "Le Mond Diplomatique")

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›