E Diel, 1 Nëntor 2026

25% e vrasjeve, krim brenda familjes

Krimi brenda familjes shënon 25% të të gjitha vrasjeve të ndodhura në shkallë vendi. Shifra alarmante është dhënë nga Policia e Shtetit, e cila e ka renditur krimin brenda familjes si faktor i rritjes së numrit të vrasjeve. Bashkë me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare, Policia e Shtetit ka shënuar rritje të numrit të vrasjeve, krahasuar me një vit më parë. Madje këtë problem, Departamenti i Krimeve e ka justifikuar me faktin se vrasjet nuk kanë arritur në numrin 100.

Në statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se në vitin 2007 kanë pësuar rritje veprat penale kundër personit, duke rritur njëkohësisht edhe numrin e vrasjeve. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2007 janë evidentuar 3003 vepra penale kundër personit, ku janë zbuluar 2929 prej tyre ose 98%. Por, një vit më parë, policia ka regjistruar vetëm 2632 krime të tilla dhe ka zbuluar 2533, ose 96% të tyre. Sikur të mos të mjaftonte kjo, rritje kanë pësuar edhe vrasjet, ku lufta për zvogëlimin e tyre ka qenë prioritet i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se për këtë vit kanë ndodhur 94 vrasje dhe janë zbuluar 86 të tilla, ose 91.4% e tyre. Duke bërë krahasimin me vitin 2006, sërish kemi rritje, pasi një vit më parë, janë shënuar 87 vrasje.

Duke qëndruar në këtë argument, drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe kreu i Departamentit të Krimeve, janë munduar të justifikojnë këto shifra. "Megjithëse vërehet një rritje e krimit të vrasjes, duhet të evidentohet pozitivisht fakti se është viti i dytë që numri i vrasjeve bie nën shifrën 100", ka argumentuar zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Më tej, ai është shprehur se në vitin që po lëmë pas vërehet një numër i lartë i krimeve brenda familjes, e në mënyrë të veçantë i vrasjeve, ku në familje janë kryer 25% e tyre. "Numri i lartë i vrasjeve brenda familjes duhet detyrimisht të tërheqë vëmendjen e të gjitha strukturave të policisë për organizmin e një pune të mirëfilltë parandaluese, për vlerësimin me seriozitetin maksimal të të gjitha informacioneve për veprimtari kriminale për sensibilizimin dhe aktivizimin e të gjithë aktorëve shtetërorë dhe privatë për parandalimin e dhunës në familje si zanafillë e krimeve të rënda", është shprehur Kuliçaj. Por, ky i fundit nuk ka treguar se për çfarë kanë ardhur këto krime dhe nëse është marrë ndonjë masë parandaluese, duke u bazuar në urdhrat e lëshuara më parë nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme.

Megjithatë, ky problem është ngritur edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ka tërhequr vëmendjen nga të gjithë drejtuesit apo efektivët në varësi të tij. Fillimisht, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përgëzoi punën e bërë nga departamenti i krimeve, por kërkoi që në vitin në vazhdim të punohet më shumë me parandalimin e krimit në familje. Ai tregoi se krimi në familje ka ardhur në ulje, por sërish mbete në shifra shumë të larta. Sipas krahasimit, në vitin 2006 janë shënuar 25 vrasje brenda familjes, ndërsa këtë vit 23 të tilla. Megjithatë, lajme të mira vijnë nga nocioni i gjakmarrjes. Policia tha se gjatë këtij viti nuk është evidentuar asnjë vrasje me motiv gjakmarrjeje, nga katër të evidentuara në vitin paraardhës. Ulje kanë shënuar edhe vrasjet për motive pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›