25 vjet burg për vrasjen në Angli
Një vrasje e kryer në Birmingam të Anglisë, pesë vjet më parë, mund t‘i kushtojë çerekshekulli burg një 25-vjeçari. Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet ka qenë radha e prokurorisë për të lexuar konkluzionet përfundimtare të saj në procesin ndaj Arben Murrjas, i cili akuzohet për "vrasje me dashje", vepër penale e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Në pretencën e dhënë, prokurori i çështjes ka kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 25 vjet heqje lirie.
Ngjarja për të cilën akuzohet Murrja ka ndodhur në mars të vitit 2003 në Angli. Sipas akuzës, i pandehuri ka qëlluar disa herë me thikë bashkëkombësin e tij, Arbër Jahelezi, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, Murrja është larguar nga Birmingami dhe është kthyer në Shqipëri, por nuk ka mundur dot t‘u shpëtojë prangave. Tani ai rrezikon një dënim të gjatë, megjithëse gjatë gjithë procesit ai i ka kundërshtuar akuzat.