E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Gjyqtarëve del në krah të KLD-së

Përplasjes midis KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me kompetencat për kontrollin e sistemit gjyqësor, duket se po u shtohen aktorë të tjerë. Dje, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve në një prononcim publik, duke shprehur qëndrimin e saj lidhur me projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", është pozicionuar hapur në krah të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. "Ministria e Drejtësisë duhet ta shtrijë kontrollin e saj deri tek administrata gjyqësore, duke mos dualizuar me kompetencat dhe veprimtarinë e KLD-së si autoriteti shtetëror për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të rrethit dhe apelit. Ky projektligj nuk sjell asnjë reformim në këtë drejtim", ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri. Ky qëndrim, sipas përfaqësuesve të shoqatës, është bërë në kuadër të ruajtjes së pavarësisë nga ekzekutivi dhe rrjedhimisht nga politika, pasi ata u shprehën se "pavarësia e gjyqësorit nuk përmirësohet duke e lënë ende pushtetin gjyqësor nën kontrollin e politikës". Ndërkaq, gjyqtarët kanë kundërshtuar në pika të veçanta projektligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, duke theksuar se ai nuk ka sjellë asnjë lloj reformimi: "Ne kemi mendimin se jo vetëm që projektligji ka mangësi dhe nuk u ka dhënë zgjidhje disa problemeve, por edhe procesi i diskutimit të tij është bërë pa marrë mendimin e të gjithë grupeve të interesit".

Gjyqtarët kanë rishprehur pakënaqësinë e tyre për përjashtimin e tyre nga procesi i diskutimit të projektligjit, i cili konsiderohet si një nga më të rëndësishmit e një paketë ligjesh, që do të përbëjnë bazën ligjore të reformës në drejtësi. "Ne e konsiderojmë një mangësi serioze të procesit të reformës në drejtësi faktin që diskutohet projektligji ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor‘ dhe nuk merret mendimi i gjyqtarëve", deklaruan përfaqësuesit e Shoqatës së Gjyqtarëve. Ata konfirmuan se kanë kërkuar pranë Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend të pranohet një përfaqësi e shoqatës, për të marrë pjesë dhe për të shfaqur mendimet e propozimet e saj lidhur me projektligjin. Por, nga Komisioni i Çështjeve Ligjore nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë kërkesë.

Ndërkaq, pikat kryesore ku shoqata ka kundërshtuar projektligjin e miratuar në Komisionin e Ligjeve kanë qenë: 1-Përcaktimi në mënyrë të qartë i rolit dhe kompetencave që do të ketë në raport me pushtetin gjyqësor Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektorati i KLD-së; 2- Problemet e rregullimit ligjor të karrierës dhe pagesës së gjyqtarëve; 3- Masat disiplinore dhe llogaridhënia e gjyqtarëve lidhur me shtimin e llojeve të këtyre masave dhe mënyrën e procedimit; 4- Mungesa e ndryshimit në përmirësim lidhur me administrimin e shërbimeve në gjykatë. Lidhur me këtë të fundit, përfaqësuesit e gjyqtarëve kanë thënë se "administrata gjyqësore është pa status të veçantë, trajtohet me një pagesë shumë të ulët, ndonëse kryen një punë shumë të rëndësishme dhe ka një kontakt të drejtpërdrejtë me publikun".

Në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve nuk ishte harruar sërish diskutimi i problemit të pagave të gjyqtarëve të thjeshtë. Ata ritheksuan se projektligji që u miratua nuk bën asnjë ndryshim përmirësues për mënyrën e pagesës dhe stimulimit financiar të gjyqtarëve të thjeshtë. Në përfundim të fjalës së saj, Manjola Bejleri e konsideroi mënyrën e kryerjes së reformës në drejtësi si "shumë të shpejtë dhe që vë në dyshim dhënien e zgjidhjeve më të mira dhe të qëndrueshme, me qëllimin për të prodhuar institucione të qëndrueshme dhe për t‘i shërbyer sa më mirë publikut".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›