E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga djalit të policit, plagosi një nxënës shkolle

Djali i një polici është prangosur nga uniformat blu të kryeqytetit, për arsye se dyshohet se ka plagosur një gjimnazist me levë pas koke. Debati ka filluar për një vajzë, e cila ishte në klasë me të dëmtuarin, që më pas ka degjeneruar në sherr me mjete të forta. Elvis Camaj, nxënës i shkollës "Besnik Sykja", ka qenë duke dalë nga shkolla me një shoqen e tij të klasës, kur një 20-vjeçar ka filluar të ngacmojë adoleshenten. Sipas të dhënave nga policia, Camaj ka ndërhyrë në këtë moment dhe ka kërkuar prej 20-vjeçarit që të mos ngacmojë vajzën e re. Por, kjo ka krijuar një debat mes dy të rinjve, që fillimisht ka degjeneruar në fjalë ofenduese. Shumë shpejt kanë ndërhyrë disa persona, të cilët kanë shuar konfliktin dhe 20-vjeçari është larguar nga vendi ku po ndodhte sherri. Por pa kaluar shumë minuta, ai është kthyer bashkë me një shokun e tij. Kanë takuar gjimnazistin dhe e kanë goditur me levë pas koke. Menjëherë pas këtij akti, Elvis Camaj është rrëzuar përdhe pa ndjenja. Ndërkohë që të pranishmit në vendin e ngjarjes i kanë dhënë ndihmën e parë, duke e dërguar në spital. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të plagosjes. Brenda një kohe të shkurtër, grupi hetimor ka mundur të identifikojë të dy autorët e ngjarjes, por ka prangosur vetëm njërin. Burimet policore thanë se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u krye arrestimi i Fabjon Abaz Lamajt, 20 vjeç, lindur e banues në Tiranë. "Arrestimi i tij u bë pasi dy ditë më parë, rreth orës 11.00, në afërsi të shkollës ‘Besnik Sykja‘, në bashkëpunim me një person tjetër, kanë goditur me levë në kokë Elvis Camajn", tha policia. Sipas informacioneve, ai është djali i një polici, i cili është me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në lidhje me këtë rast, policia shtoi se i arrestuari ka kundërshtuar edhe një punonjës policie, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes për të shuar konfliktin. Policia kreu veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua leva. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për plagosje të rëndë me dashje dhe kundërshtim të punonjësit të policisë rendit publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›