Bumçi: Inspektorati, kompetencë e ministrisë
Komisioni i Ligjeve ka vijuar edhe dje punën e tij për diskutimin e projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Frymën e konsensusit që ka mbizotëruar deri më tani duket se po e prish neni për inspektimin e gjyqtarëve, pasi palët nuk po bien dakord se kompetencë e kujt do të jetë e KLD-ja apo e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa vetë Shoqata e Gjyqtarëve është shprehur e pakënaqur, duke theksuar se nuk është dëgjuar mendimi i tyre nga komisione. Pretendim i cili është hedhur poshtë nga anëtari i komisionit, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Gjatë një prononcimi për mediat, Bumçi është shprehur gjatë diskutimit për çdo nen të projektligjit dhe ka pasur në krah mendimet e të gjithë grupeve të interesit. Ne kemi në tryezë çfarë ka thënë KLD-ja, Shoqata e Gjyqtarëve etj. Ne, tha Bumçi, si anëtar të Komisionit të Ligjeve kemi pasur mendimet e të gjithë grupeve të interesit. Është e rëndësishme të theksojmë se ligjin nuk e bëjnë grupet e interesit, grupet e interesit konsultohen. Ai ka sqaruar se KLD-ja ka më shumë se një vit që ka një binjakëzim me KLD-në italiane dhe spanjolle; ka ekspertë të përhershëm këtu dhe sugjerimet e këtyre dy vendeve janë që inspektoratet duhet t‘i qëndrojnë edhe Ministrisë së Drejtësisë, duke disiplinuar rolin e ministrit.