Pranga punonjëses së gjendjes civile
Një punonjëse e gjendjes civile dhe një infermier arrestohen nga blutë e Krujës për falsifikim dokumentesh zyrtare në bashkëpunim. 43-vjeçarja Nexhmije Gjoni së bashku me bashkëpunëtorin e saj, Mëhill Trosku, janë prangosur ditën e djeshme nga seksioni i luftës kundër krimit ekonomiko-financiar nën akuzën e falsifikimit të akteve të gjendjes civile. Gjoni punonte pranë zyrës së gjendjes civile të Komunës Bubq të rrethit të Krujës dhe nga provat paraprake që mbështesin akuzën ajo dyshohet se lëshonte certifikata false për banorë të kësaj komune, të interesuar për bashkim familjar në vendet fqinje. E arrestuara banuese në fshatin Budull të Krujës me arsim të mesëm dhe 38-vjeçari Trosku nga fshati Murqinë me punë infermier në Bubq dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të falsifikuar certifikatën e shtetasit E.T, dokument që ky shtetas e ka përdorur për pajisjen me pasaportë nga Komisariati i Policisë së Krujës. Ndërkohë, po hetohet dhe për të tjera raste që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës nga punonjësit e gjendjes civile dhe vetë e arrestuara në këtë komunë të Krujës. Ky nuk është rasti i parë i arrestimit të punonjëseve të gjendjes civile. Pak kohë më parë në Tiranë është arrestuar edhe përgjegjësja e gjendjes civile në minibashkinë numër 7.