BE shuplakë Serbisë, anulon MSA-në
Bashkimi Evropian i jep një goditje të rëndë Serbisë, duke vendosur pezullimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Këtë qëndrim e bëri publik komisioneri për Zgjerim, Olli Ren, i cili deklaroi se shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes politike me Serbinë, siç është planifikuar për 7 shkurt. Rehn theksoi se Komisioni evropian ka shprehur keqardhje për shkak të "obstruksionit" të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Ren deklaroi se firmosja e marrëveshjes, e planifikuar për sot, shtyhet për shkak se "një parti, Partia Demokratike e Serbisë e Kryeministrit Vojisllav Koshtunica refuzon nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo habit shumë meqë ditë më parë Koshtunica është angazhuar që të mos ndërpritet procesi i përparimit në Serbi drejt BE, ndërsa tashti, Kryeministri serb i ka kthyer shpinën asaj për çfarë është angazhuar vet". Rehn theksoi se atij dhe Bashkimit Evropian i vjen keq për shkak se ftesa për nënshkrim mbetet në tavolinë, kur Serbia të jetë e gatshme për të.
Kriza
Situata ka futur vendin në një krizë të rëndë qeveritare dhe parlamentare. Kreu i legjislativit serb, anëtar i partisë së Presidentit Tadiç në shenjë proteste ndaj veprimit të Koshtunicës nuk e mblodhi Parlamentin për të mbajtur një qëndrim për dërgimin e misionit të BE-së në Kosovë. Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Oliver Duliç, ka deklaruar se nuk do të konvokojë seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit para se të vijë mendimi i nevojshëm nga qeveria e Serbisë për Marrëveshjen e propozuar politike mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. "Nuk shoh arsye që Parlamenti të deklarohet për tema aq të rëndësishme siç është nënshkrimi i Marrëveshjes me BE dhe dërgimi i misionit të BE në Kosovë pa deklarimin e qeverisë", tha Duliç, duke theksuar se "është e pamundur që dikush të kërkojë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në situatën në të cilën gjendemi ne". Sipas fjalëve të tij, ndonëse kjo nuk është kohë për "shitje mendsh" dhe krizë institucionale ai si njeri i durueshëm do të presë nëse Kryeministri i Serbisë inatoset me refuzim për të caktuar seancën e qeverisë". Ndërkaq, Kryeministri Vojisllav Koshtunica ka kërkuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Serbisë dhe vlerësoi se obstruksioni i punës së Parlamentit paraqet rrezik për rendin kushtetues. Në deklaratën e tij, Koshtunica theksoi se destabilizimi i rrethanave politike në vend paraqet rrezikun më të madh për ruajtje dhe mbrojtje të rendit kushtetues, në momentin kur paralajmërohet se është çështje dite shpallja e pavarësisë së Kosovës. Serbia ka hedhur poshtë miratimin e kuadrit ligjor dhe financiar të misionit të ardhshëm në Kosovë, nga ana e Bashkimit Evropian. Koshtunica tha se me këtë vendim Bashkimi Evropian rrezikon drejtpërdrejt sovranitetin, tërësinë tokësore dhe rendin kushtetues të Serbisë.
Prandaj, vlerëson Kryeministri Koshtunica, propozimi i BE-së që me Serbinë të firmosë Marrëveshjen Politike, ndërkohë që merret vendimi për dërgimin në Kosovë të misionit, përbën një mashtrim me qëllim që Serbia duke vënë firmën në marrëveshjen me BE-në të nënshkruajë në të vërtetë pëlqimin për pavarësinë e Kosovës dhe të bëhet shteti i parë që në mënyrë indirekte të njohë Kosovën e pavarur. Kryeministri serb, Koshtunica, kërkoi mbledhjen urgjente të Parlamentit, para shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe të marrë qëndrim për misionin e BE-së dhe marrëveshjen e ofruar nga Brukseli.
Dallimet brenda qeverisë serbe në fakt reflektojnë mosmarrëveshjet e thella midis Koshtunicës dhe Presidentit Tadiç
Kryeministri Koshtunica përveç se nuk mbështeti kandidaturën e Tadiç, deri tani nuk i ka ofruar atij as edhe urimin formal
Duke e konsideruar Partinë Demokratike të Serbisë dhe kreun e saj, Kryeministrin Koshtunica, si humbësin më të madh të këtyre zgjedhjeve, reagimi nervoz i këtij të fundit shpjegohet si përpjekje për përmirësim të imazhit karshi qytetarëve serbë. Dhe, rast më të mirë se Kosova, nuk ka.
Epilogu i këtyre ndasive të thella midis Kryeministrit Koshtunica dhe Presidentit Tadiç do të shihet më mirë të enjten kur pritet nënshkrimi i marrëveshjes politike për bashkëpunim me BE-në.
Paralajmërimi i nënkryetarit të qeverisë, Bozhidar Gjeliq, nga radhët e partisë së Presidentit Tadiç, se ka për të udhëtuar për në Bruksel, dhe qëndrimi i Kryeministrit Koshtunica kundër firmosjes, mund të rezultojë në prishje të koalicionit e deri në mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.