E Diel, 1 Nëntor 2026

50% e pacientëve të prekur nga infeksionet spitalore

Sa më të gjata të jetë ditët e qëndrimit në spital, aq më i lartë është rreziku për të përkeqësuar sëmundjen. Kjo pasi në spitalet tona medikamentet që merren për t‘u mbrojtur nga infeksionet spitalore janë jashtë listës së trajtimit. Një pjesë e mirë e tyre nuk përdoren edhe për shkak të kostos. Infeksionet që pacientët marrin në spital dhe u zgjasin ditëqëndrimin, në gjuhën e mjekëve quhen infeksione nozokomiale. Këto janë infeksione të cilat nëse prekin pacientin, atëherë shtojnë rrezikun për përkeqësimin e sëmundjes dhe në të njëjtën kohë shtojnë edhe koston e spitalit. Mund të duket një shifër e lartë, por nga 60-70 për qind të të sëmurëve mund të preken nga këto infeksione. Të tilla shifra është shumë e vështirë të verifikohen, por i vetmi sektor i cili bën matje të tilla kryen studime të specializuara që zgjasin edhe në dy vjet. Sipas studimit të fundit të kryer nga Qendra Nozokomiale, qendër kjo që kryen analiza për sa i takon higjienës apo papastërtive në pavijonet e spitalit, në rastet kur pacienti preket nga këto infeksione shtyn ditëqëndrimin deri në 8.5 ditë.

Infeksionet spitalore

Sipas ekzaminimeve të fundit të kryer nga qendra nozokomiale nga 50 deri në 70 për qind të shtimeve në spitale rrezikojnë të preken nga këto infeksione të cilat ndikojnë negativisht në përparimin e sëmundjeve, apo në përkeqësimin e saj. Konkretisht, sipas statistikave: "në 10 pacientë 4-6 prej tyre janë të destinuar të preken nga infeksionet spitalore".

Përveç shtimit të ditëve në spital dhe përkeqësimit të sëmundjeve, këto infeksione ndikojnë negativisht edhe në dobësimin e financave të spitalit. Infeksioni nozokomial është një infeksion i marrë në spital pas shtrimit të pacientit dhe është një nga shkaqet kryesore të zgjatjes së ditëqëndrimit dhe shtimit të shpenzimeve spitalore për shkak të harxhimit të antibiotikëve. Rezistenca e /////////////shtameve nozokomiale ndaj antibiotikëve të zakonshëm sa vjen dhe rritet. Ekzaminimet e qendrës tregojnë se pacientët të infektuar nga spitali të vërtetuar baktereologjikisht dhe të kontrolluar çdo ditë janë mjekuar me antibiotikë të ndryshëm shpesh jo efektivë dhe ditëqëndrimet e tyre janë shumë të larta.

Analizat

Të dhënat e analizave sqarojnë se rritja e ditëqëndrimit të rasteve të prekura nga infeksionet spitalore është deri në 8 ditë më shumë se kohëqëndrimi i parashikuar. Një nga përfundimet që janë nxjerrë specialistët e qendrës është që: "kostoja e infeksioneve nozokomiale nuk është vetëm në ditëqëndrim apo në përkeqësim të sëmundjes që ndonjëherë çon edhe në vdekje. Kosto e këtyre infeksioneve është edhe më e madhe në financa, të cilat rëndojnë në të gjithë ekonominë kombëtare". Pavijonet në të cilat pacientët kanë riskun më të lartë të infektimit në spitale janë shërbimi i djegie-plastikës, kirurgjia, shërbimi i okulistikës, pediatria. Shifrat e bëra publike nga Qendra Nozokomiale konsiderohen të larta, pasi në spitalet evropiane risku për t‘u prekur nga këto infeksione janë nga 2 deri në 3 për qind. Deri tani qendra nuk ka të dhëna për sa i takon rrezikut që kanë punonjësit e shëndetësisë nga këto infeksione.

Vizitorët e jashtëm

Brenda një dite në spital

kalojnë 3 mijë qytetarë

Veç problemeve të tjera, një pjesë tjetër problematike e spitalit është mungesa e medikamenteve që merren për të imunizuar sistemin shëndetësor nga infeksionet spitalore. Ndërkaq, në vitin 2003 drejtoria spitalore zhvilloi një studim përfundimet e të cilit tregojnë se brenda qendrës më të madhe të vendit, në 24 orë hyjnë dhe dalin më shumë se 3 mijë qytetarë. Të gjitha këto qarkullime ndikojnë negativisht në higjienën e spitaleve, në mbajtjen e pastërtisë dhe në uljen e infeksioneve spitalore. Kujdesi shëndetësor ndaj pacientit ka deklaruar se një tjetër arsye e krijimit të papastërtive në qendrat shëndetësore është numri i vizitorëve, mungesa e detergjenteve cilësore, si dhe mungesa e infrastrukturës hotelerike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›