Kejsi Stoner fillon sezonin me fitore
Kejsi Stoner ka treguar se është përsëri më i miri në Moto GP, dhe këtë e ka treguar në pistën e Losail në Katar, në garën e zhvilluar për herë të parë gjatë natës nën dritën e prozhektorëve. Sinjale pozitive nga debutuesit Lorenco dhe Doviciozo, ku i pari e mbyll garën në vendin e dytë, ndërsa tjetri mund në finish Valentino Rosin, vetëm i pesti.
Në fillimin e garës, Pedroza shkëputet dhe që në vijën e drejtë kalon nga vendi i 9-të në vendin e parë, i ndjekur nga Toseland, Lorenco dhe Rosi. Por ky i fundit, brenda një xhiroje arrin të kalojë në vendin e dytë, duke u vënë në ndjekje të Pedrozës dhe në xhiron e katërt e parakalon spanjollin. Por në garë kthehet Stoner, i cili i afrohet kreut dhe në xhiron e 9-të parakalon edhe Rosin, i ndjekur nga Lorenco, shumë luftarak në garën e tij të parë në Moto GP. Kampioni i Botës në fuqi shkëputet dhe pas tij qëndron vetëm spanjolli Jamahas, ndërsa të tjerët e kanë të vështirë të mbajnë ritmin e kreut. Në xhiron e 13-të, Stoner fillon të shkëputet nga Lorenco, duke u nisur i vetëm drejt fitores së kësaj gare. Ndërkohë, Pedroza i merr vendin e tretë Rosit dhe kërkon të shkëputet për të siguruar vendin e fundit në podiumin e garës. Në kreun e garës, Stoner vendos se është koha e duhur për t‘u shkëputur dhe para xhiros së fundit siguron më shumë se 4 sekonda diferencë nga Lorenco, i cili kalon i dyti vijën e finishit. Pedroza merr vendin e tretë, ndërsa Doviciozo mund në finish Valentino Rosin, duke e lënë italianin e Jamahas në vendin e pestë, shumë larg rivalëve të tij për titullin kampion.