Gjuhët e Huaja, kujdes nga përgjimi
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ruhet me kamera. Ato janë vendosur prej një jave në ambientet e brendshme dhe të jashtme të tij. Studentët dhe pedagogët shprehen të shqetësuar nga survejimi që u bëhet çdo sekondë. Ndërsa drejtuesit deklarojnë se po sigurojnë rendin në fakultet.
Një dritë e vockël e kuqe pulson në hollit e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ngjit shkallët dhe sheh se edhe në katin e dytë nëpër korridore ka kamera, edhe në katin e tretë. Çdo ambient komun i fakultetit përgjohet. Kamera ka edhe në oborrin e jashtëm, të përparmë dhe të pasmë të tij. Askush nuk e besoi kur i pa për herë të parë. Por thashethemi u bë realitet. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë janë vendosur kamera në korridor. Ndryshe nga çdo shkollë tjetër në vend, Gjuhët e Huaja kanë vendosur të sigurojnë disiplinën dhe rendin me anë të survejimit non-stop. Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, shprehet se "duan të bëjnë institucion, ndaj kemi vënë kamera. Ato janë për të ruajtur sigurinë e studentëve dhe të pedagogëve". Sipas saj, ato nuk janë për të survejuar askënd, por thjesht për të parë mbarëvajtjen e punës, si dhe për të mbështetur ligjin antiduhan. Pra, për të kapur pedagogët dhe studentët që pijnë duhan në ambientet e brendshme të fakultetit.
Por a janë këto kamera komode për studentët dhe pedagogët? Për gazetën "Shqip" ata deklarojnë se kamerat janë totalisht të panevojshme nëpër fakultete dhe madje shqetësuese, pasi humbet privatësinë. Çdo hyrje-dalje vëzhgohet, çdo shoqërim me shokë-shoqe, apo çdo braktisje e orës së mësimit është duke u xhiruar. Dhjetëra kamera përgjuese përgjojnë informacionin në zyrën e drejtuesve të fakultetit. Në monitor shfaqen lëvizjet e studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të administratës që lëvizin në korridore apo oborre.
Kjo është gjëja më normale për dekanen Dibra, e cila pranon të mos ketë marrë asnjë vërejtje për vendosjen e kamerës në ambientet e fakultetit. Askush nuk ka pse shqetësohet për kamerat, ato janë në të mirë të tyre, për t‘i ruajtur edhe nga persona të tjerë që mund të hyjnë në fakultet. Por kamerat nuk ruajnë vetëm njerëzit, por edhe pajisjet. "Ne kemi kompjuterë, libra e materiale të tjera që mund të vidhen, ndaj në raste të tilla ne mund t‘i vëmë në dispozicion policisë materialin video", shprehet dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. E pyetur nëse është miratuar ky projekt në Këshillin e Fakultetit, Dibra thotë: "Jo, s‘ka qenë e nevojshme. Vendimi është marrë nga rektorati një vit më parë dhe vetëm tani u arrit të konkretizohet projekti". Ajo u shpreh se nuk e dinte se sa ka qenë financimi për blerjen dhe instalimin e tyre në ambientet e fakultetit që drejton prej afro një muaj e gjysmë. Gjuhët është i vetmi ndër fakultetet që ka vendosur kamera në ambientet e brendshme dhe të jashtme për të ruajtur qetësinë në institucion.