Topalli, vizitë dyditore në Letoni
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nisur dje për një vizitë zyrtare dyditore në Letoni, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Letonisë, Gundarz Daudze. Zyra e shtypit pranë Kuvendit bëri të ditur se gjatë vizitës së saj, Kryetarja Topalli do të zhvillojë një takim të veçantë edhe me Presidentin e Letonisë, Valdis Zatlers. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe delegacioni parlamentar do të priten në takim edhe nga ministri i Mbrojtjes, Vinets Veldre, si dhe do të zhvillojnë një seancë dëgjimore me Komisionin e Mbrojtjes, Politikës së Jashtme dhe Komisionin e Parandalimit të Korrupsionit në Parlamentin letonez. Letonia është vendi i parë që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE dhe ndër të parët që njohu shtetin e ri të Kosovës. Në takimet me krerët më të lartë të Letonisë pritet të diskutohet mbi proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe NATO, si dhe mbi bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh.