E Diel, 1 Nëntor 2026

Si të fitosh para në internet

Interneti është një "fotokopje". Ai kopjon çdo
veprim, karakteristikë dhe informacion që
në çastin e parë që futemi në rrjet. Për të
dërguar një mesazh nga një pikë në tjetrën
të rrjetit, sistemi i komunikimit e kopjon
më shumë se një herë informacionin e dërguar
gjatë rrugës dhe destinacionit. Një e dhënë, sado
e vogël që prodhohet nga çdo kompjuter, kopjohet
diku tjetër.
Ndryshe nga riprodhimet në masë të së kaluarës,
këto kopje nuk kanë një vlerë të caktuar
monetare, përkundrazi, janë falas. Madje qarkullojnë
aq lirshëm, saqë na bën ta konceptojmë
internetin si një sistem të fuqishëm shpërndarës,
informacioni i të cilit është i pashtershëm, pak a
shumë si një burim energjie bërthamore. Dhe,
mbi të gjitha, këto informacione nuk zhduken
kurrë. Sot, edhe ekonomia bazohet në këtë sistem
supershpërndarës: pasuria jonë mbështetet mbi
një makineri gjigande, që furnizon vazhdimisht
kopje të pafundme.
Ndërsa në të shkuarën ekonomia bazohej në
shitjen e kopjeve që kishin një vlerë të caktuar
monetare. Pra qarkullimi i lirë i produkteve falas
mund të krijojë një përçarje në këtë rregull që
është vendosur me kohë. Po si mund të fitohet,
duke ofruar produkte falas? Një përgjigje relative
është se kur këto produkte shtohen me shumicë,
bëhen të pavlera. Dhe ajo që nuk mund të kopjohet
falas, bëhet e rrallë dhe e çmuar. Kur produktet
mund t‘i gjesh falas, vetë natyra njerëzore të bën
që të kërkosh diçka që nuk mund të kopjohet
ose më saktë, një produkt më i përsosur se ai që
ofrohet falas. Për shembull, besimi nuk mund të
kopjohet apo të blihet. Duhet fituar me kalimin e
kohës. Nuk mund ta shkarkosh nga interneti ose
ta falsifikosh atë, të paktën për momentin. Në një
botë plotë me produkte falas, besimi është një
cilësi që ka një vlerë të madhe. Por ka edhe disa
vlera të tjera të vështira për t‘u kopjuar, domosdoshmërisht
edhe shumë të shtrenjta. Mënyra më
e mirë për t‘i analizuar është jo duke u nisur nga
këndvështrimi i prodhuesit, autorit ose reklamuesit,
por nga interesat e përdoruesit. Le të fillojmë
me një pyetje të thjeshtë: Pse duhet të paguajmë
për diçka që mund ta marrim falas?
Kam pikasur tetë kategori vlerash, që nuk
mund të kopjohen. Dhe i kam quajtur "përftuese":
një vlerë përftuese është një cilësi që lind, rritet
dhe pastaj kultivohet. Nuk mund të kopjohet,
klonohet ose të falsifikohet. Prodhohet vetëm
një herë, në një vend dhe çast të caktuar. Por
në hapësirën dixhitale, cilësitë përftuese i japin
vlerë produkteve që ofrohen falas. Pra ato mund
të shiten.
1. Gatishmëria. Sot ose nesër, ne mund të
shkarkojmë kopjen e një produkti pa paguar
asnjë qindarkë, por ta marrim atë në çastin kur
ajo është prodhuar dhe nxjerrë në rrjet, është një
vlerë përftuese. Shumë njerëz shkojnë në kinema
natën e parë të premierës së një filmi, kur pak
kohë më vonë ai do të jetë i disponueshëm për t‘u
shkarkuar në internet falas. Edhe botimi i parë i
një libri, ose ekzemplari i parë i një serie, shpesh
e justifikon një çmim ekstra. Si një cilësi që shitet,
gatishmëria artikulohet në shumë nivele, duke
filluar nga produktet me akses dhe funksion të
plotë, deri te versionet "beta" (produkte që janë
ende duke u testuar). Por shpesh i vlerësojmë pak
versionet në testim e sipër, pasi janë të papërfunduara,
por ato gëzojnë disa cilësi, të cilat mund
të shiten. Gatishmëria është një term relativ dhe
duhet të përshtatet si me produktin, po ashtu
edhe me përdoruesin. Një "blog" ka një kuptim
përkohësisht të ndryshëm nga ai i një filmi, ose i
një automobili. Por gatishmëria mund të gjendet
në çdo produkt.
2. Personalizimi. Në rrjet mund të shkarkojmë
një koncert pa paguar, por ndoshta jemi
të gatshëm të paguajmë për të pasur një version
që ka një audio të përkryer, sikurse jemi duke e
dëgjuar drejtpërsëdrejti në sallën ku zhvillohet
koncerti. Në të njëjtën mënyrë, kopja e një libri që
ofrohet falas, mund të personalizohet nga publikuesi
në mënyrë që t‘i përshtatet shijeve të lexuesit.
Edhe një film mund të montohet në mënyrë që
të pasqyrojë dëshirat e shikuesit (pa dhunë, por
fjalori mund edhe të mos ndryshohet). Aspirina
është gati falas, por një e tillë, e prodhuar enkas
sipas ADN-së së pacientit, mund të kushtojë disi.
Personalizimi kërkon një bashkëpunim të vazhdueshëm
ndërmjet autorit e konsumatorit dhe për
këtë arsye është e pamundur të kopjohet.
3. Interpretimi. Ekziston një batutë që thotë:
"Software"-i është falas, manuali kushton dhjetë
mijë dollarë. Por disa kompani të famshme fitojnë
para pikërisht në këtë mënyrë. Ato ofrojnë
asistencë me pagesë për programet kompjuterike
që ofrohen falas. Besoj se shumë informacione
gjenetike do të ndjekin të njëjtën rrugë. Të bësh
sot kopjen e ADN-së tënde kushton shtrenjtë, por
shpejt, kompanitë farmaceutike do të paguajnë
për të pasur kodin tuaj gjenetik. Kopja e tij do të
jetë falas, por gjithmonë, interpretimi dhe përdorimi
i saj - pra të kesh manualin gjenetik - do të
ketë një kosto të mjaftueshme.
4. Autentikja. Mund edhe të shkarkoni një "software"
edhe pa paguar asnjë qindarkë, madje edhe
pse nuk mund të keni nevojë për manualin e tij,
do të keni të domosdoshme, ose të paktën të jeni
të sigurt për origjinalitetin dhe besueshmërinë e
programit. Në fund të fundit, programi që keni
shkarkuar falas mund të ketë edhe një "bug"
(një gabim gjatë kodimit dhe programimit, i cili
shkakton mosfunksionimin e tij të plotë). Verifikimi
i autentikes paguhet. Në rrjet gjenden shumë
regjistrime nga këngëtarë të famshëm, por nëse
blini një album drejtpërdrejtë nga producenti,
atëherë do të jeni të sigurt që është pikërisht ajo
që po kërkonit. Edhe piktorët kanë shumë kohë
që përballen me këtë problem dhe shpesh fotot
ose pikturat e tyre shoqërohen me një shenjë që
vërteton origjinalitetin e produktit dhe madje
e rrit çmimin e tij. Këto mënyra dixhitale ose të
tjera teknologjike, nuk mund ta ulin prodhimin
në masë të kopjeve, por të paktën vërtetojnë
origjinalitetin e tyre.
5. Aksesi. Rregulli gjithmonë është diçka që
të nervozon në një kompjuter. Duhet t‘i mbajmë
gjithnjë gjërat me rregull, të përditësojmë programet
dhe të bëjmë një kopje në raste nevoje
të mëvonshme. Dhe në këtë botë të lëvizshme,
duhet t‘i marrim gjithmonë me vete. Shumë prej
nesh, edhe unë gjithashtu, do të kishim dëshirë
që të kontrollonim gjërat tona ndërmjet një abonimi:
jemi të gatshëm që të paguajmë një shoqëri
për të pasur akses në çdo kohë dhe vend për të
gjithë filmat, librat, fotot dhe çdo produkt tjetër
dixhital. Ata do të bëjnë një kopje të gjithçkaje, do
të paguajnë autorët dhe do të bëjnë të mundur
që ne të kemi akses kudo që ndodhemi, me anë
të telefonit, palmar-it, laptop-it etj.
6. Cilësia. Kopja dixhitale e një produkti, për
shembull e një filmi, mund të merret falas dhe
të transferohet menjëherë në ekranin tuaj. Sigurisht
kjo në proporcion me shpejtësinë e lidhjes
suaj. Por ndoshta do të keni dëshirë që ta shihni
në rezolucion të lartë këtë film, në një ekran
gjigand, dhe pse jo me një pamje tredimensionale.
Kjo vlen për çfarëdolloj formati dixhital.
Për shembull, edhe formati PDF nuk është keq,
por shpeshherë është më e bukur të lexosh të
njëjtat fjalë në një letër të bardhë, të butë dhe
me një kopertinë të veshur me lëkurë. Sigurisht,
sot rezolucioni i lartë - ajo çfarë na shtyn për të
blerë një biletë kinemaje - në të ardhmen do të
mund ta kemi edhe në shtëpi.
Megjithatë do të ketë gjithmonë teknologji të
shkëlqyera transmetimi, video që konsumatori
nuk do t‘i ketë kurrë. Për shembull, si projektimi i
filmit "Star Trek". Nuk ka gjë më të bukur sigurisht
se sa të dëgjosh një koncert drejtpërsëdrejti. Kjo
formulë po përdoret edhe nga autorët e librave:
libri jepet falas, por të shkosh në prezantimin e
autorit, duhet të paguash.
7. Strategjia. Jam i bindur se realisht, publiku
do që t‘i paguajë autorët. Fansave iu pëlqen që
të vlerësojnë me para artistët, muzikantët dhe
shkrimtarët, sepse në këtë mënyrë hyjnë në
kontakt me idhujt e tyre. Por janë të gatshëm
të paguajnë vetëm në rast se procedurat janë të
thjeshta, nëse çmimi është i arsyeshëm dhe nëse
kanë sigurinë që paratë e tyre do të përfundojnë
në xhepat e autorëve. Një eksperiment i fundit i
grupit "Radiohead" është një rast i përkryer: për
të shkarkuar albumin e tyre të fundit mund të
paguani shifrën që ju ju duket më e përshtatshme.
Lidhja ndërmjet fansit dhe autorit ka një vlerë.
Në rastin e "Radiohead", kjo vlerë është rreth 5
dollarë për një shkarkim.
8. Kërkimi. Nuk është një karakteristikë e një
vepre të caktuar, por një vlerë që ka lidhje me
gjithçka që ofrohet. Një kosto zero nuk ndikon
në rritjen e interesit të konsumatorit mbi një
produkt të caktuar. Madje do të thosha që ndonjëherë
krijon skepticizëm nga ana e përdoruesit
mbi cilësinë e saj. Por duke anashkaluar çmimin,
një vepër nuk ka vlerë nëse qëndron në hije: një
kryevepër e panjohur nuk ka asnjë vlerë. Kur ka
miliona libra, këngë, filma (shpesh falas) të cilat
kërkojnë vëmendjen tonë, të gjejmë atë çfarë po
kërkojmë, bëhet thelbësore. Që një produkt të
bëhet i kërkuar nga publiku, në radhë të parë,
duhet të bëhet i pranueshëm nga producentët e
mëdhenj, studiuesit ose etiketat e shtëpive diskografike
shumë të famshme. Dhe në këtë mënyrë,
formohet një aktivitet zinxhir i pashmangshëm,
ku autorët kanë nevojë për këto kritere. Për këtë
arsye, studiuesit dhe etiketat diskografike nuk do
të zhduken kurrë. Natyrisht këto nuk nevojiten
për shpërndarjen e kopjeve, sepse këtë funksion e
kryen interneti, por nevojiten për të tërhequr vëmendjen
e konsumatorit drejt këtyre veprave.
Duke u nisur nga një oqean i pafund mundësish,
shtëpitë diskografike kanë për detyrë që
të gjejnë dhe të shtojnë punën e këtyre artistëve
që, sipas tyre, kanë më shumë mundësi për të
pasur sukses. Por ka edhe metoda të tjera, si
kritikët dhe recensentët, të cilët kontribuojnë në
orientimin e vëmendjes publike. Fansat i besojnë
këtij rrjeti sugjerimesh në mënyrë që të zbulojnë
gjërat më interesante ndërmjet miliona veprave
që prodhohen çdo ditë.
Këto tetë vlera kërkojnë kompetenca të reja.
Në kohët e sotme, ku ofrohen kopje falas, suksesi
nuk varet nga mundësia për të shpërndarë më
shumë, për këtë kemi "fotokopjen e madhe".
Madje nuk nevojiten as njohje ligjore mbi të
drejtat e autorit (gjithçka të shërbehet e gatshme).
Përkundrazi, këto tetë cilësi përftuese kërkojnë
një vetëdije: sasia e madhe shton shkëmbimin e
anasjelltë, të qenit bujar është një model biznesi
dhe sot është e domosdoshme të kultivosh dhe
të rritësh gjithçka që nuk mund të merret me një
klik. Në ekonominë e rrjetit, paraja nuk ndjek
rrugën e kopjimit, por atë të vëmendjes, e cila
ka hapësirat e saj.
Lexuesit më të vëmendshëm duhet ta kenë
kuptuar se nuk kam folur për publicitetin, i cili
shpesh konsiderohet si mënyra e vetme për të
pasus gjithçka falas.
Shumë nga mënyrat që përcolla më sipër,
kërkojnë një formë jo të mirëfilltë publiciteti,
por besoj se në të ardhmen ky i fundit do të jetë
vetëm një nga shumë mënyrat për të fituar para,
duke shitur atë çfarë ofrohet falas. Por kjo është
një histori tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›