Londra, mesazhe optimiste Shqipërisë: Ju mbështesim në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka përfunduar vizitën zyrtare në Britaninë e Madhe, ku ka garantuar mbështetjen e Londrës për hyrjen e Shqipërisë në NATO. "Jemi mbështetës të aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Ne ju përgëzojmë për reformat në fushën e mbrojtjes dhe do të vazhdojmë t‘ju ndihmojmë dhe mbështesim në rrugën tuaj drejt anëtarësimit të plotë në NATO". Kështu u shpreh Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Des Browne, gjatë takimit që zhvilloi me ministrin tonë të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Londër. Fatmir Mediu, në datat 5-6 mars 2008, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandën e Veriut, me ftesë të Sekretarit britanik të Mbrojtjes, Des Browne. Gjatë takimit mes dy personaliteteve u theksua rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, mbështetja që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, Mediu, e njohu homologun e tij britanik me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet në 2-4 prill në Bukuresht. Mediu theksoi se Shqipëria e cilëson anëtarësimin në NATO si mënyrën e vetme të forcimit të progresit dhe demokracisë jo vetëm në Evropën Juglindore, por dhe për komunitetin euroatlantik. "Roli i Shqipërisë në misionet ushtarake në Afganistan, Bosnjë-Hercegovinë dhe Irak ka konfirmuar profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura dhe rolin aktiv të Shqipërisë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në pikat më të nxehta të globit", theksoi ai. Ministri Mediu e njohu Sekretarin Browne me ecurinë e reformave politike, ekonomike dhe ushtarake të ndërmarra në Shqipëri, për arritjen e standardeve për të merituar anëtarësimin në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. Ai e njohu homologun e tij britanik Browne edhe me arritjet e fundit të Shqipërisë në fushën politike dhe me reformat në Forcat e Armatosura; me kontributin e tyre në Operacionet Paqeruajtëse; si dhe me përpjekjet për profesionalizimin, modernizimin, rritjen e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë për përafrimin sa më të shpejtë me standardet e NATO-s. Sekretari Browne shprehu mbështetjen pa kursim të Britanisë së Madhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen euro-atlantike. Gjatë vizitës së tij dyditore në Londër, ministri Mediu u takua gjithashtu dhe me ministrin e shtetit për Forcat e Armatosura, Bob Ainsworth dhe me ministrin e shtetit për Evropën, Jim Murphy, me të cilët diskutoi lidhur me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Mediu zhvilloi takime të rëndësishme dhe në Parlamentin britanik me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes, zotin James Arbuthnot dhe me nënkryetarin e Partisë Konservatore, Alistair Burt, të cilët shprehën dhe qëndrimin e opozitës britanike pro integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, gjatë qëndrimit të tij në Londër vizitoi Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike, ku mbajti një leksion me temë "Integrimi i Shqipërisë dhe siguria rajonale", i cili u prit me interes të madh nga diplomatë, akademikë dhe kërkues shkencorë të Britanisë së Madhe.