7 Marsi, nxënësi grushte mësuesit
Në vend të urimeve dhe luleve për 7 Marsin, një 18-vjeçar nga qyteti i Delvinës ka rezervuar grushte në fytyrë për ish-mësuesin e tij të biologjisë. Kjo ka ndodhur në oborrin e gjimnazit "Sulejman Delvina" në Delvinë. Erjon Brahimaj, ish-nxënës i kësaj shkolle, kishte shkuar në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme të Delvinës, enkas për të vepruar dhunshëm ndaj mësuesit të biologjisë, Luan Kabo. Mësohet se në themel të ngjarjes kanë qenë motive të dobëta, që kanë lidhje me notat pakaluese që mësuesi i kishte dhënë vite më parë nxënësit të rebeluar. 18-vjeçari Brahimaj i është sulur ish-mësuesit, duke e qëlluar atë me grushte e duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Grupi i gatshëm ka shkuar në vendngjarje, por nxënësi i dhunshëm është larguar dhe vetëm në mesditën e djeshme është bërë e mundur kapja e tij e shoqërimi për në Komisariatin e Delvinës, ku është mbajtur për 10 orë. Pas kallëzimit të bërë nga mësuesi i dëmtuar, dokumentet në ngarkim të nxënësit të dhunshëm Erjon Brahimaj i kanë kaluar prokurorisë dhe ai do të ndiqet në gjendje të lirë. Burime nga zyra arsimore e Delvinës thanë se nxënësi që ka ushtruar dhunë ndaj mësuesit në prag të ditës së mësuesit, ka qenë nxënës i kësaj shkolle, por e ka lënë atë për të vazhduar shkollën e ulët profesionale në Mesopotam.
Me gjithë këtë ngjarje të pazakontë, festa e mësuesit është kremtuar si zakonisht në qytetin e vogël të Delvinës. Nxënësit më të vegjël kanë shkuar me tufa lulesh dje në shkollë, ndërsa më të rriturit kanë përfituar nga orët e shkurtuara për të organizuar ndonjë festë të vogël. Vetë mësuesit, si çdo vit janë organizuar pa shumë ceremoni në dreka festive. Atmosfera festive është ndjerë dje edhe në qytetin e Sarandës, ku nëpër shkolla u organizuan aktivitete artistike. Ndërkohë, bashkia kishte organizuar dreka të veçanta dje për mësuesit që janë në punë dhe ata që kanë dalë në pension.