Shkolla e parë shqipe ekspozon dokumente të rralla për 121-vjetorin
Pushtetarët nuk kanë shkuar dje në Korçë, siç kanë bërë çdo vit. Megjithatë, qyteti i shkollës së parë shqipe ka qenë njësoj i angazhuar në kremtimin e ditës së arsimit. Shiu nuk i ka penguar nxënësit të mblidhen në sheshet e qytetit për zhvillimin e aktiviteteve të planifikuara për këtë ditë. Aktiviteti më i rëndësishëm me rastin e 7 Marsit ka qenë ekspozita me materiale dokumentare të shkollave të para shqipe në vendin tonë, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë. Ekspozita e titulluar "Shkronjat tona janë të arta", u organizua nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, me materiale të paraqitura në stenda dhe muret e ambienteve të brendshme të Mësonjëtores së Parë Shqipe.
Në këtë ekspozitë, u paraqitën materiale mësimore nga Mësonjëtorja e Parë, foto të shkollave të para shqipe nga të katër vilajetet e dikurshme shqiptare, foto të shkollave shqipe dhe të mësuesve të parë, një emblemë e klubit "Gjuha Shqipe" të krijuar në vitin 1910, relike të shkollave të para shqipe etj.
Normalja e Elbasanit
Ndoshta e motivuara edhe nga të afërmit e saj që kanë studiuar në Normalen e Elbasanit, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka festuar 7 Marsin në qytetin e Elbasanit, duke u ndalur pikërisht në shkollën e mesme pedagogjike "Luigj Gurakuqi" të këtij qyteti, themelet e së cilës u hodhën gati një shekull më parë. Në këtë ceremoni festive, zonja Topalli është pritur nga stafi pedagogjik i shkollës, nga përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe nga rektori i universitetit "Aleksandër Xhuvani", Liman Varoshi. "Ju uroj të gjithë mësuesve me gjithë zemër, gëzuar 7 Marsin dhe sot është një ditë e veçantë në të gjitha familjet shqiptare", ka pohuar kryeparlamentarja Topalli para qindra të pranishmëve. Ajo tha më tej, se mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë krenarë, pasi Normalja e themeluar para 99 vjetësh, ka qenë një institucion me një influencë nga më të mëdhatë në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, tha se në 100-vjetorin e kësaj shkolle, vitin tjetër, Elbasani do të përurojë një obelisk 15 metra të lartë.
Në Kukës mendojnë për Kosovën
Qindra mësues aktivë dhe pensionistë kanë festuar dje në Kukës ditën e mësuesit, 7 Marsin. Drejtoria e Rajonale e Arsimit ka shfrytëzuar pikërisht këtë ditë të rëndësishme për të prezantuar pjesë të strategjisë rajonale të arsimit për 15 vitet e ardhshme të hartuar kohët e fundit nga specialistët vendas dhe mbështetur nga dikasteri qendror. Me rastin e festës së mësuesit, Drejtoria Rajonale e Arsimit në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës kishte organizuar edhe një koncert festiv me këngë patriotike dhe interpretime nga veprat e autorëve të mëdhenj shqiptarë. Mësuesit që morën fjalën në këtë manifestim vlerësuan arritjet e arsimit shqip dhe shprehën opinione sipas të cilave arsimi duhej reformuar edhe më tej. Në epiqendër të një numri diskutimesh ishte edhe fakti që pavarësimi i Kosovës shtronte detyrën e madhe që dikasteri arsimor i Tiranës dhe ai i Prishtinës të krijonin tryezën e përbashkët për unifikimin e programeve. "Shteti i ri i Kosovës ka nevojë për arsimin më shumë se kurrë", tha një orator.
Siguroi materialet e para didaktike për nisjen e mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët e kësaj zone. Pas një bashkëpunimi të ngushtë me shoqëritë patriotike shqiptare që vepronin në atë kohë në Stamboll dhe qendra të tjera Spahiu dokumentacionin e duhur për çeljen e shkollës shqip bashkë me një kërkesë të krerëve të krahinës së Lumës ia dërgoi qeverisë perandorake. Kjo e fundit, e hodhi poshtë këtë kërkesë, madje urdhëron mbylljen edhe të mejtepit që zhvillohej në turqisht. Në të vërtetë që në vitin 1905 dhe më herët akoma në mejtepin e Bicajve kishte filluar të mësohej edhe gjuha shqipe dhe kjo vijoi.