Skaneri i radiologjisë fillon punën
Të sëmurët nuk do të vazhdojnë të vuajnë mungesën e diagnostikimit për shkak të mosfunksionimit të skanerit. Skaneri kryesor në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", dje, më në fund, ka filluar të funksionojë. Ky skaner, i cili kishte dalë jashtë funksionit për një kohë të gjatë, më në fund është vënë në funksion. Burime pranë drejtorisë së QSUT-së pohuan se llamba unikale e kësaj pajisjeje, e cila është shumë e kushtueshme, më në fund u gjet, u ble dhe u vendos. Kjo llambë kishte plotësuar orët e punës dhe prej më shumë se një muaji skaneri nuk funksiononte.
Kjo pjesë kishte mbërritur në pavijonin e radiologjisë dhe janë dashur disa ditë për ta montuar. Deri dje, pacientëve të QSUT-së, por edhe atyre të rretheve u është dashur që të presin në radhë te skaneri, që ndodhet në ambientet e spitalit pediatrik. Ndërkohë që skaneri i saporiparuar është unik në vendin tonë dhe kryen ekzaminime të hollësishme.
Llamba ka kushtuar 15 000 000 lekë të reja. Inxhinierët që e kanë montuar kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm për të përfunduar centrimin e kësaj pjese.
Që prej dy javësh, "Fiks Fare" ka sjellë çdo ditë në ekran shqetësimin e shumë pacientëve që prisnin në radhët e gjata te dy skanerat e tjerë, për të kryer ekzaminimet që kryen skaneri i radiologjisë. Më në fund, dje, skaneri është rivënë në funksionim.
Dje në mëngjes është kryer ekzaminimi i parë. Ndërkaq, në Qendrën Spitalore Universitare tashmë funksionojnë dy skanera të tjerë, njëri te pediatria dhe tjetri te spitali nr.5.