Pezullohen mjekët, që morën ryshfet
Drejtoria e spitalit ka marrë masën e pezullimit nga detyra të infermiereve dhe personelit tjetër shëndetësor, që janë shfaqur si pjesë e mitëmarrjes në kamerën e "Fiks Fare"
Një grup i posaçëm pune është ngritur për të analizuar rastin e denoncimit të mitëmarrjes nga disa punonjës të spitalit nr. 5 në qendrën spitalore universitare, "Nënë Tereza". Ky denoncim u bë publik dy ditë më parë në emisionin "Fiks Fare".
Menjëherë pas kësaj, me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, drejtoria e spitalit "Nënë Tereza", ditën e djeshme, ka bërë të ditur se ka ngritur një grup pune, i cili do të analizojë dhe verifikojë ngjarjen. Ndërkohë që të gjitha infermieret dhe mjeku që janë filmuar nga "Fiks Fare", duke marrë para për operacionin ku kanë asistuar, janë pezulluar që dje nga detyra. Kjo masë do të vazhdojë deri në përfundimin e analizës së ngjarjes.
Vetë drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së "Nënë Tereza", Mati Pepa, i ka dërguar redaksisë së emisionit "Fiks Fare" një letër falënderimi për evidentimin e rasteve të akteve abuzive nga disa punonjës të këtij spitali.
Duke e cilësuar rastin e denoncuar nga "Fiks Fare" si papërgjegjshmëri individuale të punonjësve të veçantë, të cilët kanë abuzuar me detyrën, drejtori i Përgjithshëm i qendrës universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në letrën e tij të falënderimit thekson se rasti në fjalë nuk duhet të përgjithësojë punën humane të bluzave të bardha në tërësi.
Dy ditë më parë, në "Fiks Fare" u denoncua rasti i mitëmarrjes së bluzave të bardha gjatë një operacioni. Të afërmit e pacientit që sapo kishte dalë nga salla e operacionit në spitalin nr. 5 në Tiranë, kanë paguar njëri pas tjetrit infermierët dhe mjekun anestezist.
Pagesat filluan përpara se pacienti të futej në sallën e operimit. Të afërmit vrapuan nëpër farmacitë rreth e rrotull spitalit, që të gjenin shampo betadinë për dezinfektimin e vendit ku do të bëhej ndërhyrja kirurgjikale, sepse spitali nuk kishte. Pasi ia dorëzuan betadinën infermieres, pacienti u fut në sallën e operimit.
Sapo mbaroi operacioni, infermieret u komunikuan pagesat që duhet të bënin. Pagesat fillonin nga 1000 apo 2000 lekë për çdo infermiere, deri në 5000 lekë për kryeinfermieren. Plot 5000 lekë për anestezistin, si dhe shuma më e majme prej 25000-30000 lekësh për mjekun që kreu operacionin.
"Fiks Fare" ndoqi me kamera këto biseda.