E Diel, 1 Nëntor 2026

Myftiu i Shkodrës, mësuesve: Kujdes me vajzat besimtare!

Festa e mësuesve është shfrytëzuar nga klerikët e lartë myslimanë të Shkodrës për të tërhequr vërejtje mbi disa probleme që po hasin vajzat e besimit mysliman në shkollat publike të vendit.

Në ditën e 7 marsit, myftiu i Shkodrës ka uruar festën e mësuesit, por në të njëjtën kohë u ka përcjellë mësuesve mesazhin që të jenë të kujdesshëm me fëmijët, sidomos në ditët e sotme kur ata po përballen me sfidat e reja të mijëvjeçarit. Ndërsa nxënësit, sipas myftiut, duhet të tregojnë respekt për mësuesit, sepse respekti ndaj mësuesve është tregues i besimit dhe i reflektimit qytetar. Në këtë komunikim me mediat, myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të reagojë për rastet kur nxënës që vendosin shami përjashtohen nga shkolla. Sipas tij, ky veprim është i pambështetur në rregullore e ligje.

"Shohim se në shkollat tona konsumohen akte të turpshme, imorale nga nxënës të veçantë. Këta nxënës nuk përjashtohen nga shkolla e ndaj tyre nuk merret asnjë masë, por përjashtohen ato vajza që besojnë në Zot dhe mbajnë shami në kokë. Për këtë, Ministria e Arsimit nuk duhet të heshtë, por të reagojë ashpër", është shprehur myftiu. Më tej, ai tha se "me veprime të tilla po cenohen liritë dhe të drejtat e njeriut dhe kjo nuk ka për të na shërbyer në të mirën tonë". Reagimet e institucioneve fetare vijnë menjëherë pas mospranimit në shkollën "28 Nëntori" në Tiranë të dy motrave G.Hasani, 15 vjeçe dhe M.Hasani, 12 vjeçe, të cilat mbanin shami. Në lidhje me këtë ngjarje, dy ditë më parë reagoi edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, i cili i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të ndërhyjë për situatën e krijuar, pasi mbajtja e ferexhesë nuk është propagandë, por liri besimi. "Ky shqetësim duhet të marrë zgjidhje brenda Kushtetutës, normave etike dhe rregullores së shkollës, të cilat nuk përmbajnë ndalesa të tilla, si mbajtja e ferexhesë", është shprehur kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›