E Diel, 1 Nëntor 2026

90% e partive nuk kalojnë dot as 1% të votave

Në zgjedhjet për pushtetin lokal, në vitin 2007, u regjistruan në total si pjesëmarrëse në zgjedhje 48 parti politike. Bazuar në rezultatet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se partitë parlamentare arritën të marrin mbi 2.5% të votave që morën edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Po sipas këtyre të dhënave, vetëm 29 subjekte arritën të kalojnë numrin prej 500 votash, limit ky që kërkohet në gjykatë i konvertuar në firma për të kryer regjistrimin. Partia Demokratike Pezë Gjirokastër e Shqipërisë mori 0 vota, Partia Emigracioni Shqiptar mori katër vota, Partia Konservatore 27, Partia Bashkësia Kombëtare Shqiptare 44, Partia Demokrate e rinovuar 76. Sakaq, Partia Demokratike Demokracia e Re e Djathtë Shqiptare 93 vota, Partia Ambientaliste 158, Partia Lëvizja Monarkiste Demokrate Shqiptare 251 vota, Partia Socialkristiane e Shqipërisë 296, Partia e Pajtimit Kombëtar 367, Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare 393. Kësaj liste i shtohet edhe Partia e Reformave Demokratike që mori 443 vota, Partia Ardhmëria Shqiptare me 488, Partia Aleanca Socialiste e Shqipërisë me 499 vota. Zyrtarisht numri i pjesëmarrësve në zgjedhje për 373 njësi të qeverisjes vendore ishte në masën 1318642 zgjedhës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 u regjistruan si pjesëmarrëse në zgjedhje 57 subjekte politike. Në tabelën e rezultateve finale rezultuan 12 parti me mbi 2.5%, që është pragu për hyrjen në Parlament. Një numër prej 27 partish arriti të futej në tabelën përfundimtare të rezultatit, hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. E fundit u rendit Partia e Sigurisë Kombëtare Shqiptare me 570 vota, ndryshe 0.04% të totalit. Numri zyrtar i pjesëmarrësve në zgjedhje ishte prej 1366226 votuesish. Këto kalkulime janë të mundshme vetëm për partitë politike që marrin pjesë në proceset zgjedhore. Sakaq, të dhënat për partitë që thjesht figurojnë të regjistruara në gjykatë nuk është i mundur për shkak se nuk janë përballur me zgjedhësit. Të vetmet informacione të kësaj natyre mund të jenë ato që vetë këto subjekte kanë deklaruar pranë gjyqësorit. Një nga hapësirat që krijon ligji për partitë politike dhe që ka të bëjë me çregjistrimin e tyre është në rastet kur numri i anëtarëve është poshtë atij të përcaktuar në statut ose në ligj. Te ky i fundit është i shkruar kushti prej 500 firmash për t‘u regjistruar një parti si e ligjshme në aktivitetin e saj politik. Hije dyshimi mund të lindin për arsyet pse këto parti qëndrojnë kur nuk kanë një aktivitet të tillë të përkthyer në konkurrim në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›