Mblidhet Kuvendi i ri i Kosovës
Shtyhet për javën e ardhshme zgjedhja e krerëve të institucioneve të Kosovës. Në mbledhjen e djeshme konstitutive të Kuvendit të Kosovës është bërë vetëm betimi i deputetëve të rinj, të cilët u zotuan se me tërë qenien e tyre dhe me ndershmëri do të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. Por në këtë mbledhje nuk u zgjodh as Kryesia e re, as Kryetari i Kuvendit dhe nuk u dha asnjë sqarim pse është shtyrë për të mërkurën e ardhshme. Seancën e drejtoi deputeti më i vjetër i Kuvendit, Mark Krasniqi (PSHDK), i shoqëruar nga deputetja më e re në Kuvend, Njomza Emini nga AKR-ja e Behxhet Pacollit. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, në seancën konstituive, dje miratoi njëzëri Komisionin për Mandate dhe Imunitete, i cili do të shikojë rekomandimet e KQZ-së, dokumentin mbi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga PSSP-ja në bazë të listës së KQZ-së. Arsim Bajrami, kryesues i Komisionit për Imunitete dhe Mandate tha se pas shqyrtimit të dokumentacionit mbi mandatet, rekomandimet e KQZ-së, dokumentin mbi certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në bazë të listës së KQZ së, në Kuvendin e ri të Kosovës PDK ka 37 vende, LDK 25, AKR 13, LDD-PSHDK 11, AAK 10, SDSKiM 3, SLS 3, VAKAT 3, KDTP 3, PDAK 3, SDA 2, PREBK 1, SNSKiM 1, IRDK 1, SNS 1, SKSM 1, GIG 1 ulëse. Po ashtu, ai tha se Komisioni ka verifikuar se në këtë seancë janë të pranishëm 112 nga gjithsej 120 deputetë. Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë ndërkombëtarë. Seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës e ka përshëndetur edhe shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Kryeadministratori ka nisur fjalimin e tij me përshëndetje në gjuhën shqipe dhe serbe. Në mënyrë solemne u bë ceremonia e betimit të deputetëve. Kuvendi do ta vazhdojë mbledhjen të mërkurën, për të zgjedhur Kryetarin dhe Kryesinë.
Ndërkohë, mandatari për Kryeministër të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjithçka është duke shkuar ashtu siç është planifikuar me ndërtimin e institucioneve të reja. Ai tha se Kosova, të mërkurën, do të ketë të gjitha institucionet që burojnë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, Presidentin, Qeverinë dhe Kryetarin e Kuvendit. "Ne kemi arritur në fazën përfundimtare dhe disa paqartësi që kanë qenë, sot janë sqaruar dhe pres zyrtarizimin e marrëveshjes", u shpreh Thaçi. Fituesi i zgjedhjeve të 17 nëntorit tha se përurimi solemn i Kuvendit të ri të Kosovës është vetëm fillimi i vitit të ri, me lidership të ri, institucione të reja dhe me vizion të ri. Vonesat për krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe konstituimin e Kuvendit e kanë nxitur shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker, të nënshkruajë një urdhëresë administrative për shfrytëzimin e buxhetit për muajin janar dhe shkurt nga ana e agjencive buxhetore. Zëdhënësi i UNMIK-ut tha se ky vendim është marrë me qëllim për të krijuar kushtet për punë normale të agjencive buxhetore. "Kjo ka të bëjë për fondet për energjinë elektrike, ndërsa me këtë vendim do të jepet kohë e mjaftueshme që të miratohet buxheti i rregullt për vitin 2008", ka thënë Aleksander Ivanko, zëdhënës i UNMIK-ut. Buxheti i Kosovës për vitin 2008 nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës. Kjo, sepse nuk është krijuar Qeveria dhe nuk është bërë konstituimi i të Kuvendit të Kosovës.