E Diel, 1 Nëntor 2026

Daily Telegraph: Sllovenia, e aftë të përballojë krizën

Gazeta britanike "Daily Telegraph" i hedh një vështrim fillimit të Presidencës sllovene të Bashkimit Evropian dhe paralajmëron takimin e parë, të cilin, të martën e ardhshme afër Kranjit, do ta mbajë Kryeministri slloven, Janez Jansha, me komisionerët evropianë. Gazeta thekson bindjen e Janshës se Sllovenia është në një pozitë shumë më të mirë nga vendet e tjera që të përballet me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, e cila, sipas kësaj gazete, mund të ndodhë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi më 3 shkurt. "Ne e njohim situatën dhe jemi njoftuar me të gjitha detajet, të cilat vendet skandinave apo disa vende edhe më të largëta nuk mund ta kuptojnë", thotë Jansha. Disa anëtarë të BE-së frikësohen se pavarësia e Kosovës mund të shkaktojë valën e re të dhunës në Ballkan dhe të nxisë lëvizje autonomiste si të atyre në Kataloni të Spanjës. Të tjerët, si Britania dhe Gjermania, dëshirojnë që BE-ja të veprojë me vendosmëri, dhe me gjithë kundërshtimin e Serbisë dhe Rusisë, të njohin shpejt pavarësinë e Kosovës. Por kur flitet për realitetin brutal të së drejtës themelore të Kosovës për vetëvendosje nacionale, shkruan "Daily Telegraph", Kryeministri slloven është pragmatik. Kosova, vlerëson Jansha, me vite do të varet nga NAT0-ja dhe BE-ja, të cilat do të garantojnë ose mbikëqyrin ekzistencën e saj. BE-ja dërgon misionin e sigurisë në Kosovë. Misione të tilla nuk dërgohen në shtetet e pavarura, thotë Kryeministri slloven.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›