Ban Ki Mun: Shpresoj për një kompromis në OKB për Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, edhe më tutje konsideron se "zgjidhja me kompromis nëpërmjet negociatave, e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, paraqet rrugën më të mirë për të lëvizur përpara" në procesin e statusit të Kosovës, tha zëdhënësi i OKB-së, Brendon Varma. Sipas tij, Ban mendon se "çfarëdo mossuksesi i zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Kosovës, në kuadër të kornizës së Kombeve të Bashkuara, do të kishte pasoja serioze për sistemin ndërkombëtar". Mbledhja e ardhshme e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet për Kosovën, do të jetë më 16 të këtij muaji. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë më 16 janar raportin e UNMIK-ut për gjendjen në Kosovë, bëri të ditur kryesuesi i Këshillit për muajin janar, ambasadori i Libisë Xhiadala Ajtali. Raportin për situatën në Kosovë do ta paraqesë shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker. Ambasadori i Libisë tha se ky takim ishte caktuar që më herët, por formati i mbledhjes përsëri do të shqyrtohet, sepse në selinë e Kombeve të Bashkuara ka arritur kërkesa e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, që të flasë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Vjena
Kancelari austriak, Alfred Gusembauer, ka hedhur poshtë kritikat e Beogradit ndaj deklaratës së tij se Austria nuk do të presë vendet e tjera sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se këto kritika kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore në Serbi. "Nisem nga ajo se për reagimet e Beogradit kanë më pak faj deklaratat e mia, por më shumë fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale", ka vlerësuar Gusembauer. Ai ka përsëritur që Austria nuk do të presë vendet e tjera sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse ka theksuar se "sa i përket çështjes së Kosovës, topi për momentin ende është te Këshilli i Sigurimit të KB". Gusembauer, në një takim të Partisë Socialdemokrate të Austrisë, lider i së cilës është, ka theksuar se Austria "do ta presë këtë proces", e pastaj "me kohë do të marrë vendimin", dhe se "nuk do të presë në veprimin e vendeve të tjera".