E Diel, 1 Nëntor 2026

Parti fantazma, kryetarët pasaporta shërbimi

Kryetarët e partive inegzistente mund të përfitojnë pasaporta shërbimi. Në vendimin e qeverisë numër 335, datë 02.09.1997, rezulton se në kategorinë e personave që pajisen me dokumente të tilla, pika katër, janë edhe "kryetarët e partive politike që nuk përfaqësohen në Parlament ose qeveri". Një parti politike fantazmë nuk është çudi të krijohet me synim të vetëm pajisjen me një pasaportë shërbimi për lëvizjen jashtë vendit. Kjo është vetëm një nga mbi 60 kategoritë, të cilat gëzojnë privilegjin të pajisen me pasaporta shërbimi dhe diplomatike.

Vendimi

Me aq vendime qeverie sa janë të publikuara në internet, nuk rezulton që kjo kategori të jetë hequr nga ndërhyrjet e mëpasme prej kryeministrave të radhës, Meta, Majko, Nano e Berisha. Sakaq, drejtuesit e subjekteve politike që janë në Parlament ose në qeveri përfitojnë sipas këtij vendimi pasaporta diplomatike. Një prej kryetarëve të partive joparlamentare, ai i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, tha se "nuk kam një pasaportë të tillë, pasi nuk e kam marrë. Me sa di unë, e kemi këtë të drejtë". Ndërsa kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se gëzonte pasaportë diplomatike që nga koha kur ishte zëvendëskryeministër i vendit.

Fiktiviteti

Në total numri i subjekteve të regjistruara në gjykatë është mbi 100. Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tabelave të regjistrimit, rezulton se vetëm më pak se gjysma marrin pjesë në proceset zgjedhore. Shumicës jo vetëm që nuk u njihen emrat e partive, por as identiteti i kryetarit apo ndonjë formë kontakti me ta. Përtej partive parlamentare, të tjerat nuk marrin dot as vota të konvertuara në numrin e firmëtarëve që ju duhen për t‘u regjistruar si të tilla në gjykatë. Në zgjedhjet e fundit, nga 48 parti që u regjistruan, vetëm 11 arritën të futeshin në Parlament. 26 të tjera nuk arritën të kapin dot as masën prej 1% të totalit të votave. Plot 14 parti nga ato që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal nuk kanë arritur të marrin as numrin prej 500 votash, aq sa anëtarë kanë qenë firmëtarë të tyre. Vetëm 29 subjekte politike kanë qenë mbi këtë kriter të përcaktuar në ligj dhe që bën faktik regjistrimin e tyre në gjykatë.

Legjislacioni

Në ligjin Nr. 8580, datë 17.02.2000, për partitë politike, përcaktohen procedurat ligjore se si mund të krijohet një forcë politike. Në nenin 10 thuhet se pasi mbledhja e anëtarëve themelues të partisë politike të ketë miratuar dokumentet e partisë, programin, statutin, si dhe organet drejtuese të saj, duhet të paraqitet në gjykatë kërkesa për regjistrimin e saj. Kjo kërkesë duhet të nënshkruhet nga jo më pak se 500 shtetas shqiptarë, anëtarë themelues të saj, me vendbanim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Në nenin 26 të ligjit parashikohen rastet kur ndodh shpërndarja e një partie politike. Së pari një veprim i tillë ndërmerret kur shkrihet ose bashkohet me parti të tjera; kur ndahet në dy ose më shumë parti të tjera me emër të ri; kur vetëshpërndahet në përputhje me normat e statutit të saj, ose kur numri i anëtarëve të partisë ka mbërritur nën numrin minimal të caktuar me statut ose sipas këtij ligji. Nuk dihet se sa mundësi ka shteti për të vërtetuar numrin e vërtetë të anëtarëve të partive që regjistrohen në gjykatë, por edhe më i vështirë është rasti i subjekteve që nuk marrin pjesë fare në zgjedhje. D.Malaj

Zgjedhjet e vitit 2007

U regjistruan 48 parti

11 parti kanë përfaqësim në Parlament

Vetëm 29 parti kalojnë numrin e 500 votave

17 numri i partive me mbi 1% të votave

Zgjedhjet e vitit 2005

U regjistruan 57 parti

12 parti u futën në Parlament

Vetëm 15 parti kalojnë masën 1% të votave

30 parti kalojnë numrin e 500 votave

Zgjedhjet e vitit 2001

U regjistruan 38 parti politike

23 nuk arritën të hyjnë në Kuvend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›