Noel Malkom: Kosova, një rast unik
"Kosova është një rast absolutisht unik dhe nuk përbën kurrfarë precedenti të ri, as të rrezikshëm", shprehet historiani i njohur britanik, Noel Malkolm, autor i librit "Kosova një histori e shkurtër". Në një intervistë për BBC-në, Malkolm tha se e ardhmja e Kosovës duket se do të vendoset brenda gjysmës së parë të këtij viti. Njëherazi ai shpreh edhe rezerva, duke thënë se "nuk duhet nënvlerësuar kapaciteti i diplomatëve dhe politikanëve ndërkombëtarë për të shpikur më shumë vonesa e taktika për të shmangur vendimin e fundit". Megjithatë, Malkolm mendon se pas shenjave të qarta që janë dhënë nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë, brenda pak muajsh do të bëhet njohja e Kosovës së pavarur nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania. Sikurse edhe para një decenie, por edhe sot, Malkolm thotë se është i sigurtë për të njëjtat arsye se për Kosovën zgjidhja e vetme është pavarësia dhe se nuk ekziston asnjë mundësi tjetër serioze për stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Ballkanit. "Kjo u bë e qartë në vitet ‘80-të. U bë e qartë qëkurse erdhi në pushtet Millosheviçi që ky territor nuk do të trajtohej si pjesë normale e qeverisjes nga Beogradi. U bë krejtësisht e dukshme që e ardhmja e shqiptarëve të Kosovës do të sigurohej vetëm në një shtet të pavarur kosovar". Duke komentuar argumentet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, Malkolm konsideron se "në një kuptim të rëndësishëm, Kosova përbën një rast uni" dhe se ajo "nuk krijon ndonjë precedent të ri". Kosova është një rast unik, shtoi Malkolm, për shkak të asaj që u ndodhi në vitin 1999, kur aparati shtetëror që kishte mbetur nga ish-Jugosllavia, u përdor "për përzënien e një përqindjeje të madhe të popullsisë së një territori". "Që prej vitit 1945 nuk kishim parë gjë të tillë në Evropë. Kjo ishte gjë e jashtëzakonshme që gëzoi popullaritet në radhët e serbëve të zakonshëm". Më tej në këtë intervistë Malkolm foli lidhur me diskutimet për "Shqipërinë e Madhe" që dëgjohen viteve të fundit që siç thotë janë zhvilluar nga politikanë të vendeve të tjera, që përpiqeshin të ngrinin kundërshti për statusin e Kosovës. "Unë mendoj se ky është një kundërshtim fals. Në të vërtetë dy herë fals", tha ai, duke shtuar që "edhe nëse Kosova e Shqipëria do të bashkoheshin, kjo nuk do të sillte ndonjë kërcënim për vendet fqinjë". Por në anën tjetër ai nuk mendon se ky është skenar realist. "Unë sinqerisht besoj, se, pas pavarësimit të Kosovës, nëse do të organizoheshin referendume në të dyja anët, nuk do të kishim votim pro një Shqipërie të bashkuar", theksoi Malkolm. Ai vlerëson se kjo tezë është përdorur si një lloj kërcënimi kundër mundësisë së pavarësisë së Kosovës, por që është një kërcënim fals.