E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeremiç, lobing te vendet e botës së tretë në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, i dorëzoi dje ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përgjigjen e qeverisë së Serbisë në raportin e shefit të UNMIK-ut për situatën në Kosovë, për të cilën do të debatohet në seancën e KS-së të OKB-së më 16 janar. Jeremiç do të kërkojë në selinë e OKB-së në Nju Jork mbështetjen për qëndrimin e Beogradit për domosdoshmërinë e vazhdimit të negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, për çfarë, siç është paralajmëruar, veçmas do të bisedojë me ambasadorët e pesë anëtarëve të rinj, jo të përhershëm të KS të OKB-së; Kroacinë, Burkina Faso, Kostarikën, Libinë dhe Vietnamin. Zgjidhja e krizës në Kosovë është një nga sfidat kryesore të politikës së Bashkimit Evropian në vitin 2008, nga e cila varet kredibiliteti i evropianëve dhe vendi i tyre në botë në kohën e globalizimit, shkruan gazeta e Parisit "Le Monde" në numrin e sotëm. "Çështja e Kosovës do të jetë vendimtare", thuhet në "Le Monde", duke shtuar se "nëse BE ia arrin që të zgjidhë krizën në mënyrë paqësore, do të jetë koha e përshpejtimit të procesit të bashkimit (BE-së) që u është premtuar shteteve të rajonit". Në këtë proces integrimi i "Kroacisë ka shkuar më së largu, por negociatat përparojnë ngadalë, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi presin, ndërsa vështirësitë rriten me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›