E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata, hapen 3 mijë vende pune

Gjatë vitit 2008, në administratën shtetërore do të hapen rreth 3 mijë vende pune. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Dieta e qeverisë përballë votës së elektoratit në zgjedhjet e 2009-ës do të marrë fund. Të pakënaqurit për papunësi do të kenë mundësi që të përfitojnë nga hapja e vendeve të reja të punës në administratën shtetërore. Sipas vendimit më të fundit, numri i personave që do të punësohen në administratë do të shkojë në 105.134 nëpunës. Ky vendim shfuqizon urdhrin e dhjetorit të vitit 2007, që numri total i nëpunësve të jetë 102.159 veta. Saktësisht do të punësohen 3075 persona. Rëndësi të veçantë do t‘u kushtohet atyre personave të cilët janë diplomuar në universitetet jashtë Shqipërisë, ose kanë marrë tituj master dhe doktoraturë jashtë vendit. Dje në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha ka bërë me dije se vetëm 5% e profesorëve janë me tituj në universitetet tona dhe për këtë arsye ka deklaruar hapur se do të hapen 400 vende pune për pedagogë, profesorë dhe doktorë shkencash. "Situata aktuale në universitetet publike lidhur me gradat e mësimdhënësve, pedagogëve është e papranueshme. Doktoraturat e fituara në universitetet perëndimore përbëjnë vetëm 5 për qind të të gjithë mësimdhënësve, ndërkohë që në vende të tjera është 5 dhe 7 herë më e lartë", u shpreh Berisha. Modernizimi i administratës është një nga synimet e qeverisë "Berisha", i cili renditet gjithashtu si një nga rekomandimet e ndërkombëtarëve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Lëvizjet brenda administratës

Gjatë vitit 2007, me vendim të Këshillit të Ministrave janë larguar 4321 punonjës nga administrata publike. Vetëm ditën e djeshme, qeveria vendosi që të ndryshojë kursin, duke shtuar organikën dhe duke hapur vendet e reja të punës në sektorë të ndryshëm. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy nga sektorët që do të kenë më shumë oferta punësimi për profesorët dhe mjekët e kualifikuar, kryesisht në vendet perëndimore. Një nga kriteret e forta për të përfituar punë nga këto 3075 oferta që do të jepen gjatë këtij viti është që kandidati duhet të jetë diplomuar apo të ketë kryer specializime jashtë Shqipërisë. E gjithë kjo ka si synim përmirësimin e punës brenda administratës, duke vështirësuar në këtë mënyrë pikat që duhet të plotësojë një aplikant për t‘u bërë pjesë e administratës shtetërore. Vlen të theksojmë se në janar të vitit 2007, numri total i punonjësve të administratës ishte 106.480 veta. Pra në diferencë nga viti 2006, këtë vit numri i punonjësve do të jetë më i vogël se dy vjet më parë, rreth 1200 veta më pak, por do të jetë shumë më i lartë se në vitin 2007-të, ku administrata u prek nga furtuna e shkarkimeve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore. Në relacionin e Këshillit të Ministrave, hapja e re e vendeve të punës ka filluar që prej datës 1 janar 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›