Mbërrijnë ilaçet për të sëmurët me HIV/AIDS
Medikamentet me të cilat trajtohen të sëmurët me HIV/AIDS kanë mbërritur në vendin tonë. Njoftimin zyrtar për furnizimin me këto barna e ka dhënë dje Ministria e Shëndetësisë. Ky dikaster ka sqaruar se sipas detyrimit ligjor që ka shteti për të siguruar barna për mjekimin e pacientëve me HIV/AIDS është plotësuar kërkesa e shoqatës për të përshpejtuar procedurat. Fëmijët, të cilët për një periudhë të gjatë kohore kishin mbetur pa ilaçe, tani do të nisin sërish trajtimin. Antiretroviralet janë sjellë në vend në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF-it. Duke nisur nga viti 2008, përmes asistencës së "Global Fund", sigurohen medikamente specifike (antiretrovirale të gjeneratës së dytë) për persona të sëmurë me HIV/AIDS që shfaqin rezistencë ndaj medikamenteve të gjeneratës së parë. Aktualisht numërohen 17 fëmijë dhe 49 të rritur të sëmurë me HIV/AIDS që kanë nevojë për mjekimin specifik me medikamente që trajtojnë virusin HIV. Këto medikamente, të quajtura antiretrovirale, u jepen pacientëve të infektuar nga virusi HIV, që kanë një ngarkesë të caktuar virale në gjak. Duke pasur parasysh sistemin imunitar të secilit pacient, mjeku cakton se si duhet të trajtohet i sëmuri me barna të tilla.
Mungesa e medikamentit antiretroviral ka ardhur si pasojë e vonesave teknike nga ana e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza". "Sigurimi i medikamenteve të tilla mundësohet nga një marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF-in. Detyrimi ynë është që të bëjmë gati të gjitha procedurat teknike, të cilat i dërgohen kësaj organizate për importimin e medikamenteve për fëmijët", tha drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Edmond Stojku. Kjo procedurë, sipas tij, kishte më se dy muaj që ishte përfunduar, por për një pikë të udhëzimit UNICEF-i nuk ra dakord me përfaqësuesit e QSUT-së. Kjo ka qenë edhe arsyeja e vonesës. Fatura financiare për trajtimin njëvjeçar, vetëm për një të prekur me HIV/AIDS kap shifrën e 15 mijë eurove.