BE dhe SHBA: Kosova, fundi i një epoke brutale në Ballkan
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Havier Solana, para takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i pyetur për rezultatin e bisedimeve për Kosovën, ka thënë se është "gjithmonë optimist". Ndërkaq komisioneria e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Benita Ferrero Valdner, tha se sa i përket afrimit të BE-së me Rusinë lidhur me Kosovën mbetet "realiste". Ndërkaq, i dërguari amerikan për Kosovën, Frenk Uizner, ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të jetë "një fund i drejtë i luftës brutale" dhe "pjesa e fundit e mozaikut jugosllav". Uizner ka theksuar tri arsyet pozitive të shpalljes së pavarësisë së Kosovës - "do të bëhet një gjë e vërtetë, do të sqarohet situata politike në Kosovë dhe ajo do të vazhdojë jetën vet". "Do të bëhet një gjë e vërtetë... Mendoj se ky do të jetë një vendim korrekt politik. Nuk mund ta ktheni Kosovën në Serbi", tha Uizner, duke shtuar se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës do të "vihet pjesa e fundit e mozaikut jugosllav". Frenk Uizner nuk pret që ushtria serbe të ndërhyjë në Kosovë, por nuk përjashton mundësinë e rasteve individuale të shkuarjes në Kosovë për të shkaktuar probleme.