E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Kosova e pavarur, garanci për stabilitet

Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, në një intervistë të dhënë për "BBC World", e konsideron pavarësinë e Kosovës një fakt që afron të gjithë Ballkanin drejt Bashkimit Evropian dhe garanton stabilitetin e rajonit...

Çdo do të ndodhë të hënën në mëngjes pas shpalljes së pavarësisë të dielën, më 17 Shkurt, kur Rusia është kundër?

Autoritetet e Kosovës, në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar, SHBA-në dhe Brukselin, kanë marrë masat e duhura në terren. Pavarësia do të njihet nga një numër i madh vendesh.

Pas këmbënguljes së gazetares lidhur me një veto të mundshme të Rusisë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, ministri i Jashtëm shqiptar tha se njohja e pavarësisë së Kosovës është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e më gjerë. Ajo është mjaft e rëndësishme për sigurinë evropiane, ndaj aty dërgohet misioni i BE-së. Zgjidhja e kësaj çështjeje i takon Evropës dhe ajo që ka rëndësi është që Evropa është e bashkuar.

Ka disa vende anëtare të BE-së që nuk janë të kënaqura me këtë pavarësi…

"Ndaj unë nuk e thashë se janë të kënaqura, apo unanimë, por të bashkuara. Gjithsesi prirja është drejt shkuarjes përpara dhe se pavarësia e Kosovës i shërben sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon. Ajo përbën një garanci për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe për kapërcimin e ndarjeve të së kaluarës për të gjitha vendet e rajonit.

Po, por Rusia nuk është dakord, as Beogradi, Serbia...

Sigurisht ne nuk presim që Rusia të jetë e të bëhet pjesë e rajonit për të cilin po flas. Këto vende, të gjitha, me Kosovën e pavarur dhe Serbinë, aspirojnë për të qenë pjesë përbërëse dhe po ecin drejt integrimit evropian dhe euroatlantik, duke kapërcyer të gjitha ndarjet dhe konfliktet e së kaluarës.

Ka rajone në Evropë dhe Ballkan, duke kujtuar këtu Rusinë, e Bosnjën, të cilat mund të kërkojnë përsëritjen e precedentit të Kosovës?

Deri tani, kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës kanë dështuar në argumentet e tyre se pavarësia e saj nuk paraqet rast ligjor unik. Kosova përbën një rast të veçantë, sui generis dhe këtë nuk e thotë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe i dërguari i tij i posaçëm, Presidenti Ahtisari. Kosova përfaqëson shkëputjen e fundit dhe shkon drejt bashkësisë evropiane, ku kufijtë do të kenë një domethënie më të vogël.

A ekziston mundësia për bllokadë apo embargo nga ana e Serbisë, meqenëse Kosova nuk ka port daljeje dhe se ajo mund të mbështetet vetëm te Shqipëria në një rast të tillë?

Embargoja e deklaruar apo e presupozuar, në radhë të parë, është një masë e cila i drejtohet opinionit të brendshëm publik serb. Si i tillë, efekti i saj mbi Kosovën, në qoftë se do të ecet me hapa të tilla, do të jetë minimal. Veç Shqipërisë, Kosova rrethohet edhe nga fqinjë të tjerë, të cilët kanë bërë të gjitha përgatitjet për të vazhduar në mënyrë të pandërprerë lidhjet me Kosovën, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Ndaj çdo bllokadë apo embargo do të prekte dhe dëmtonte vetë Serbinë, interesat dhe imazhin e saj.

Aludimit të gazetares lidhur me "Shqipërinë e madhe", ministri Basha iu përgjigj duke konfirmuar se synimi dhe destinacioni përfundimtar i Shqipërisë, krahas vendeve të tjera të rajonit, është bashkimi me strukturat euroatlantike. Ai përmendi se ashtu si Kroacia dhe Maqedonia shpresojmë që të marrim ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit në muajin prill.

Ky integrim do të shmangë çdo alibi, ai do të përqendrojë vëmendjen e vendeve të rajonit dhe Serbisë në problemet e vërteta që kemi, në forcimin e stabilitetit rajonal, i cili forcohet duke shmangur ndarjet dhe konfliktet, duke u bashkuar me familjen e Evropës së bashkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›